Dogana arsyeton bllokimin e një numri të bizneseve

Dogana e Kosovës ka reaguar pas një prononcimi të Aleancës Kosovare të Bizneseve dhe disa bizneseve për vendimin, siç e kanë quajtur ata, të njëanshëm të Doganave për pezullimin e importeve e eksporteve të 219 subjekteve biznesore nga vendi, nga 1 dhjetori i këtij viti.

Lajme

10/12/2014 19:53

Përmes një njoftimi për media, Dogana e Kosovës shpreh keqardhje për deklaratat e dhëna pranë Aleancës Kosovare të Biznesit.

Në njoftim, thuhet se Dogana nuk kërkon taksa nëse nuk ka fakte dhe dëshmi të mjaftueshme që këto kompani kanë taksa të papaguara.

Sipas këtij njoftimi, Dogana këtë pezullim të importit dhe eksportit e ka bërë duke vepruar sipas dispozitave ligjore të Kodit dhe aktit të delegimit të Drejtorit të ATK-së, dhe ka pezulluar importin dhe eksportin deri në pagesën e borxheve nga kompanitë e caktuara, “të cilat me vite nuk i kanë paguar borxhet dhe kanë neglizhuar vendimet administrative të Doganës”.

“Borxhet të cilat janë evidentuar nga Dogana për kompanitë të cilat kanë reaguar sot kanë lindur si rezultat i veprave penale të evazionit fiskal dhe kontrabandës. Duhet theksuar që këto kompani kanë edhe kallëzime penale të ushtruara pranë prokurorive kompetente. Që nga aplikimi i masave të pezullimit kemi marr një përgjigje pozitive pasi që për 5 ditë mbi 80 kompani kanë shlyer borxhet pran Doganës. Shfrytëzojmë rastin t’i ftojmë Asociacionet e Biznesit që të jenë në mbështetje të zbatimit të ligjit dhe ti ndihmojnë bizneset që t’i respektojnë dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në njoftimin e Doganës.