Diplomati i parë i përhershëm kosovar vendoset në Podgoricë

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Luksic priti të enjten në Podgoricë përfaqësuesin e parë të përhershëm diplomatik nga Kosova në Mal të Zi, Xhafer Ahmetin, dhe vlerësoi se hapja e përfaqësisë së përhershme të Prishtinës zyrtare do t’i kontribuojë forcimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Lajme

17/04/2014 21:56

I ngarkuari i përhershëm me punë, Ahmeti theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës janë \”shembull i mirë në rajon dhe tregues që Ballkani perëndimor po ndryshon\”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Malit të Zi.

Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi vlerësoi se raportet ndërmjet dy vendeve janë \”jashtëzakonisht të mira\”,por edhe shtoi se \”në shumë fusha, veçmas në ekonomi, ka hapësirë për forcimin e tyre\”.

Mali i ZI dhe Kosova kanë marrëdhënie diplomatike në nivel të të ngarkuarve me punë, sepse Podgorica zyrtare e kushtëzon këmbimin e ambasadorëve me njohjen kushtetuese të statusit të pakicës malazeze në Kosovë.

Prishtina ka përsëritur shumë herë që malazeztë në Kosovë do të fitojnë statusin e pakicës me ndryshimet kushtetuese të saj.