Dhe çka tash?

Zgjidhja e krizës së tanishme politike në Kosovë, po vazhdon të kërkohet në zarfe, në yllësi të horoskopit, në filxhanë të kafesë dhe në deklarata të përditshme politike.

Opinion

03/10/2014 10:14

Ka rastisur që gjendja e tashme politike në vend, kur objektivisht Kosova ka mbetur pa Qeveri, pa Kuvend, pa shumë institucione qendrore, të ndodhë pikërisht në javët kur me ceremoni të veçanta po shënohet pesëmbëdhjetë vjetori i fillimit të krijimit të institucioneve të ndryshme të Kosovës.

Në atë shtatorin e vitit 1999-të, më së shumti falë këmbëngulësisë së Bernard Kouchner-it, Shefit të parë të UNMIK-ut, dhe përkrahjes që ky mori prej shteteve kyçe të Perëndimit, nisi bërja e strukturave të reja të Kosovës, të cilat në përbashkësinë e tyre, duhej ta krijonin identitetin e posaçëm të Kosovës. Nëse në qershorin e atij viti Kosova u çlirua nga Serbia, prej shtatorit të vitit 1999-të, nisi një ndërmarrje që do të del të jetë e gjatë, gati dhjetëvjeçare, e përgatitjes së Kosovës për tu bërë shtet, e cila do të merr epilogun e saj me 17 shkurtin e vitit 2008, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Pas shkurtit të atij viti, dhe pas shtatorit të vitit 2012, kur mori fund edhe mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës, është llogaritur që në masë të madhe, autorësia për mbajtjen dhe fuqizimin e demokracisë në Kosovë, për qeverisjen efektive, për mbizotërimin e sundimit të ligjit, për thuaja të gjitha ato elemente që bëjnë një shtet të qëndrueshëm, do të na takojë neve, si kosovarë.

Në vjeshtën e vitit 2014, lajmi, në fakt spekulimi kryesor mediatik që përcolli kthimin në Prishtinë të Presidentes Atifete Jahjaga nga vizita e saj njëjavëshe në SHBA, përkonte me një Zarf në të cilin duhej të gjendej ajo formula magjike e konstituimit të Kuvendit, apo zgjedhjes së Kryetarit dhe Kryesisë të tij, dhe e bërjes së Qeverisë së re të Kosovës.

Në mungesë të Zarfit, shpërthyen në shumë media tona thashetheme të tjera, krejtësisht të pabaza, joserioze, shpeshherë tragji-komike, nganjëherë edhe përçmuese dhe tallëse, se çka do të mund të ndodhë tash e tutje në skenën politike të vendit, apo, kush do të mund të ishte kandidat për një Kryeministër të pranueshëm për të gjithë, duke harruar që problemi kryesor është në fakt zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit. Është fare e qartë se kush në fakt mund ta bëjë Qeverinë e Kosovës. Nuk ka nevojë as për zarfe, as për kërkim të fatit në horoskopë dhe në filxhanë të kafesë. Por diskutimet në këtë shoqërinë tonë kosovare, tash e sa kohë kanë përgatitë terrenin për një intervenim ‘hyjnor’ të Perëndimit, tash për të na shpëtuar nga vetvetja, apo edhe për gjetjen e fatit në yllësin e horoskopit.

Ishte besuar disi, gjatë verës së shkuar që ishte më e çuditshmja, si në politikë ashtu edhe në mot që prej çlirimit e këndej, që me përfundimin e saj dhe me mbërritjen e shtatorit, gjërat do të vijnë vet, si thuhet, apo që do të përshpejtohet ndërmarrja e bërjes së Kosovës me një Kuvend dhe me një Qeveri të re të Kosovës.

Diç e tillë nuk ndodhi. Përkundrazi, duket që tani pritja e mëparshme ka nisë të shndërrohet në mungesë durimi, në shtim të frustrimit tek të gjithë, në lodhje të gjithë shoqërisë kosovare me faktin që politika nuk po arrin ta tejkalojë dukurinë që është përmbledhur në fjalën e re ngërç politik, e cila ka mbërrit ndër ne, si edhe shumë dukuri të tjera politike, nga Shqipëria.

Aktualisht, duket që janë tre skenarë, secili më i keq se tjetri, të cilët mund të marrin trajtën e rrjedhës konkrete politike në vend, nëse nuk ndodhë mrekullia e zhbërjes së bllokadës totale që është në fuqi.

I pari flet për vazhdimin e gjendjes së sotme. Në fakt, nuk do të ketë vazhdim të krizës në shkallën e tanishme, por thellim të saj, gjë që do t’i ulë edhe më shumë gjasat për një epilog të mbarë.

I dyti thërret si dalje nga kjo situatë organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ndërsa ato zgjedhje, realisht, do të shënonin hyrjen në fazën më të rrezikshme që prej vitit 2004 e këndej.

I treti sërish kapet për atë idenë e një Qeverie më të gjerë, e cila do të duhej të ekzistonte dy vjet a më pak, sa për të tejkaluar këtë gjendjen e mundimshme. Por në fakt, kjo Qeveri do ta kishte rolin e qetësuesit për një pacient thuaja të pashpresë, e jo që do të kontribuonte në përgatitjen e terrenin për ri-organizimin kushtetues dhe ligjor të Kosovës, me synim të shmangies afatgjate të krizave të këtij lloji të cilat kërcënojnë të shtrijnë për toke shtetin e Kosovës.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)