Det, traditë dhe histori, Lezha destinacioni i verës

Rreth 38 kilometra vijë bregdetare, male, lumenj e laguna, histori, arkeologji dhe një trashëgimi e pasur kulturore, Lezha mund t’i ofrojë të gjitha në një paketë të plotë turistike.

Lajme

17/08/2018 18:29

Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik e natyror dhe kulinaria e pasur e bëjnë Lezhën një destinacion për turizëm gjithëvjetor.

I ndodhur në kryqëzim të rrugëve tregtare, historike e kulturore, pjesë e rëndësishme e kujtesës historike kombëtare, Lezha ka krijuar një përvojë të konsoliduar në fushën e turizmit. Vetëm 53 km larg kryeqytetit shqiptar, qyteti i Lezhës ofron vlera të mëdha turistike, me objekte historike muzeale, arkeologjike si dhe objekte kulti si Kisha Françeskane e ndërtuar në vitin 1240.

Kalaja e Lezhës konsiderohet më e madhja në Shqipërinë Veriperëndimore si dhe simbol i arkitekturës ushtarake të vonë romake, bizantine e osmane. Ajo ndodhet mbi një kodër rreth 305 metra të lartë dhe rreth 80 metra prapa Kishës Françeskane, transmeton kp.

Dhe nëse jeni të interesuar për turizmin historik, nuk mund të lini pa vizituar Memorialin e Skënderbeut, i ndërtuar mbi kishën e Shën Kollit, aty ku u varros Skënderbeu në 1468.