Dëshmitari, Sekiraqën e arrestuan dhe e rrahën disa policë të ROSU

Ish-hetuesi i Policisë së Kosovës, Shpend Qerimi, i dënuar me 25 vjet burg për shpërthimin e vitit 2007 te lokali “Sekiraqa” në Prishtinë, që shkaktoi vdekjen e dy personave, tregoi në Gjykatën Themelore në Prishtinë se si ishte arrestuar dhe rrahur Enver Sekiraqa nga pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Ferizajt.

Lajme

03/09/2014 21:24

Qerimi tha se në vitin 2006, teksa punonte si hetues policor në Ferizaj, nga pjesëtarë të njësisë speciale të këtij qyteti është sjellë në stacionin policor Enver Sekiraqa, raporton KALLXO.com.

“Në vitin 2006 kam punu në hetime në stacionin e policisë në Ferizaj, dhe rreth orës 15:00 ROSU e ka sjellë Enver Sekiraqën, saktësisht Besnik Hasani, Luan Qerkini, Fadil Sadiku, Bekim Suma, Sinan Demolli dhe një person me emrin Hasan”, tha Qerimi.

Tre nga këta persona janë duke u gjykuar në zgjerimin e hetimeve për shpërthimin te lokali “Sekiraqa”, ndërsa Besnik Hasani, i cili dëshmoi të martën, është tashmë i dënuar me 25 vjet burg në gjykimin e mëparshëm të këtij rasti.

Sipas Qerimit, Enver Sekiraqa ndodhej në gjendje të rëndë.

“Sekiraqa ishte i shtrirë në tokë dhe i gjakosur dhe nuk mund te rrinte në karrige, e po ashtu edhe dy personat që ishin me të ishin të gjakosur”, tha dëshmitari.

Qerimi shtoi se e kishte pyetur të arrestuarin e përgjakur nëse i duhej ndihma mjekësore dhe kur Sekiraqa kishte thënë “po”, ishte dërguar për trajtim në spital.

“E kemi marrë dhe e kemi dërgu në spital, aty ishte kujdestar mjeku me emrin Fadil, i cili edhe e ka kontrolluar”, kujtoi Qerimi.

Ai akuzoi ROSU-në se e kishte frikësuar mjekun për të mos bërë raport të gjendjes së Sekiraqës, ndërsa mjeku e kishte udhëzuar pacientin e tij për kurim në Prishtinë.

Qerimi tha se edhe revolja që iu gjet Sekiraqës në momentin e arrestimit dhe u mor si pretekst për ta prangosur, ishte një ngjarje e kurdisur.

“Revolen e ka sjellë Bashkim Mehmeti , një TT e ndryshkët dhe e njëjta revole është gjetur edhe në veturën e Sekiraqës”, deklaroi Qerimi.

Ai shtoi se Sekiraqës gjatë kontrollit iu gjetën foto komprometuese të këngëtares Adelina Ismaili dhe 4,000 deri në 5,000 euro.

Qerimi tha se në momentin e arrestimit të Sekiraqës nuk po përgatitej ekzekutimi i tij, ndërsa tregoi se Enver Sekiraqa e kishte thirrur në telefon, pasi kishte përfunduar ngjarja e rrahjes dhe arrestimit.

Sipas Qerimit, Sekiraqa i i kishte thënë se Triumf Riza, polici i vrarë në vitin 2007, i kishte shtyrë shokët e tij të njësisë speciale që ta rrihnin.

Pikërisht për vrasjen e Rizës është duke u hetuar Sekiraqa, ndërsa po gjykohet në një proces tjetër për shkak të përleshjes me policët e Ferizajt.

Sekiraqa i kishte thënë gjithashtu Qerimit se grupi i policëve me në krye Besnik Hasanin i kishin kërkuar atij 30 mijë euro për pajtim.

Qerimi tregoi se si hetues bashkëpunonte me inteligjencën ndërkombëtare në Kosovë, ndërsa me sugjerim të tyre kishte hyrë në grupin e Hasanit për t’i furnizuar hetuesit e huaj me informata.

“Unë kam bashkpunu me KFOR-in amerikan për krimin e organizuar dhe me dy policë ndërkombëtarë të kampit ‘BRAVO’“, tha Hasani, për të shtuar se për ta nuk kishte informata të dorës së parë, pasi nuk arrinte t’i dëgjonte vetë.

Ai pranoi se nuk i kishte njoftuar ndërkombëtarët për përgatitjen e shpërthimit te “Sekiraqa”, pasi nuk e dinte se për çfarë po ftohej nga grupi i Besnik Hasanajt.

“Në takimet në restorant ‘Luboteni’ ishte vendosur që t’i digjet lokali Sekiraqës. Vrasësi i Triumf Rizës kishte dalë nga lokali i Sekiraqës 2-3 orë para vrasjes”, tha Qerimi.

Ai tregoi se me dëshmitarin e djeshëm, Besnik Hasanajn, ishte i vendosur në një qeli në burgun e Dubravës, ndërsa në një moment kishin pasur një incident, nga i cili Qerimi tha se i ishte thyer nofulla.

Gjykata njoftoi se të akuzuarve Bejtullah Mehmeti, Mehmet Mehmeti, Bekim Suma, Fadil Sadiku dhe Arbresh Dalipi ua ka ndryshuar masën e arrestit shtëpiak me atë të paraqitjes në stacion policor.

Këtyre pesë të pandehurve u skadoi dje masa e mëparshme e sigurisë. (Kallxo.com)