Dëshiron sistemin shëndetësor serb

Slobodan Denic, kandidat për Kryetar të Graçanicës, preferon që sistemi shëndetësor i kësaj komune të mbetet nën sistemin e Serbisë, ndonëse ka shumë parregullsi.

Lajme

27/09/2013 14:38

Kandidon për t’u zgjedhur në një komunë të Kosovës dhe me ligje të Kosovës, por nuk heziton të lobojë që shërbimet t’i marrë nga Serbia dhe asaj t’i japë llogari.

Kandidati për Kryetar të Komunës së Graçanicës nga Iniciativa Qytetare “Simonida”, Slobodan Denic, shpreson që edhe pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, sistemi shëndetësor  të mbetet nën sistemin e Serbisë.

Denic është ish drejtor i Entit për Sigurime Shëndetësore në Graçanicë, dhe thotë se në sistemin shëndetësor ka pasur keqpërdorime. Ai shprehet se në Shtëpinë e Shëndetit ka pasur punëtorë pa kontrata, të cilët, sipas tij, kanë krijuar shpenzime të paarsyeshme që kanë dëmtuar buxhetin e Serbisë, raporton Kosovapress.

Gjithashtu shqetësues për të është fakti se në sistemin shëndetësor në Graçanicë janë punësuar njerëz pa konkurse për punësim. Ai thotë se të punësuarit pa kriter kanë qenë njerëz të privilegjuar.

Denic shpreson që Serbia dhe Kosova të gjejnë një zgjidhje për organizimin më të mirë të institucioneve shëndetësore.