Deputetja Millaku ngatërron Kadri Veselin me gjeneral Veselin, i shpallur i pafajshëm për vrasjen e komandant Drinit

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku në deklaratat e saj për vrasjen e komandant Drinit, ka ngatërruar, Kadri Veselin me Sali Veselin, i cili nga shkalla e parë është dënuar për vrasjen e komandant Drinit, por është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Supreme.

Lajme

07/12/2017 20:05

Millaku gjatë seancës së djeshme është shprehur se Kadri Veseli dhe presidentin Hashim Thaçi kanë dhënë urdhrin për vrasjen e komandant “Drinit”.

Ndërsa gjatë seancës së sotme deputetja Millaku ju drejtua kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli duke i thënë se ka pasur aktakuzë kundër tij në vitin 2003 dhe se ka një vendim të prokurorisë. Veseli mohoi këto akuza.

Mirëpo në aktakuzën e përmendur nga Millaku bëhet fjalë për Sali Veselin. Gjeneral Sali Veseli ishte arrestuar më 8 maj 2001.

Një panel ndërkombëtar me në krye gjykatësin Derek Helmken në Gjykatën e Qarkut në Prizren, më 24 mars 2003 e dënoi me dhjetë vjet heqje lirie,vendim ky i cili një vit më vonë nga Gjykata Supreme e Kosovës, e udhëhequr nga gjykatës ndërkombëtar, ishte hedhur poshtë duke shpallur si të pafajshëm gjeneral Veselin.

Millaku ka vazhduar akuzat e saj ndaj kryekuvendarit Veseli duke thënë se “më nevojitet të them se aty nuk e ke emrin si Kadri Veseli, por si pseudonim Luli”.

Ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli, ka reaguar ndaj deklaratave të Millakut duke thënë se nuk është në dijeni që ka pasur një vendim dhe nuk ka pasur asnjë ftesë nga prokuroria lidhur me rastin.

Sali Veseli, ish-anëtar i SHP të UÇK-së dhe gjeneral i TMK-së, është dënuar nga Paneli Ndërkombëtar Gjykues në Gjykatën e Qarkut në Prizren për vrasjen e Ekrem Rexha-komandant Drini me 15 vjet heqje lirie, kurse i akuzuari tjetër Abit Haziraj, ish-pjesëtar i UÇK-së ishte liruar nga akuza për mungesë dëshmish.

Gjeneral Sali Veseli është arrestuar më 8 maj 2001.

Komandant “Drini” kishte themeluar Shoqatën e Veteranëve të Luftës në Prizren, që ishte e para e në vend. /Insajderi.com