Deputetët pushojnë edhe “pak”

Nga pushimi në pushim. Kështu do të mund të vlerësohej puna e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Pavarësisht se për pesë muaj u paguan pa bërë asnjë ditë punë, kjo nuk do t’i pengojë ata që të shkojnë në pushim të “merituar”.

Lajme

27/12/2014 09:04

Ligjvënësit kosovarë, sipas Rregullores së Kuvendit të Kosovës, që nga e hëna e ardhshme pritet të shkojnë në pushim deri në javën e tretë të Janarit. Kësisoj, shumë projektligje duhet të presin në sirtarë për të marrë formën e tyre.

E në anën tjetër, analistët politikë konsiderojnë se është e pamoralshme që deputetët të shkojnë në pushim kaq të gjatë duke pasur parasysh bllokadën gjashtëmujore.

Sipas tyre, Kuvendi duhet të mblidhet jo vetëm një herë në javë, por duhet të mblidhet çdo ditë pune.

Artan Muhaxhiri vlerëson se viti që po ikën ka qenë i jashtëzakonshëm në kuptimin e funksionimit të jetës parlamentare. Prandaj, edhe  sjelljet e deputetëve, sipas tij, duhet të jenë në përputhje me këtë gjendje.

Po ashtu Muhaxhiri konsideron se bllokada gjashtëmujore ka shkaktuar shumë probleme dhe deputetët nuk guxojnë të sillen sikur nuk ka ndodhur gjë.

“Gjithë këto mungesa që kanë ndodhur duhet të kompensohen me një ndryshim të orarit të punës, sepse nuk ka asnjë kuptim dhe madje është e pamoralshme që deputetët të shkojnë në pushim kaq të gjatë, duke ditur që për disa muaj janë paguar pa bërë asnjë punë.

Nuk mund të flas në këtë aspektin juridik se sa është e mundshme të ndryshohet ose kush mund të ndryshojë këtë orar të pushimit, por sa i përket aspektit politik dhe aspektit moral nuk besoj se do të ishte e moralshme që deputetët të shkojnë në pushim, sepse nuk kanë asnjë bazë për një pushim kaq të gjatë”, ka thënë Muhaxhiri.

Ai ka thënë se ky pushim është parashikuar në kohën kur Kuvendi ka funksionuar në mënyrë normale. Muhaxhiri nuk beson se do të këtë një pushim kaq të gjatë, sepse, sipas tij, do të ishte shumë negative për imazhin e deputetëve dhe ky pushim duhet të ndryshohet ose të zvogëlohet./Tribuna/