Demokratizimi – kontributi i Kosovës

Kosovës, skenës politike, institucionale dhe shoqërisë në tërësi, i duhen reformat gjithëpërfshirëse drejt demokratizimit. Dhe, reformimi i tillë të ndodh edhe në aspekt konceptual, edhe programor, edhe strukturor, edhe përfaqësues.

Opinion

20/06/2016 11:24

Shkruan: BURIM RAMADANI

Reformat e partive politike janë harruar diku. Dhe, bashkë me të pothuajse është harruar edhe konsolidimi i demokracisë në Kosovë.

Kanë humbur edhe nga fjalori, jo vetëm nga synimi.

Të paktën, deri vonë, reformat nëpër partitë politike, për shembull,kanë qenëpërditshmëri e debatit publik në Kosovë. Tashmë, jo pak muaj me radhë, pothuajse është harruar plotësisht edhe ideja, edhe qëllimi për të ndërtuar konceptualisht dhe përmbajtjesisht parti të mira dhe përfaqësuese!

Asnjëherë më shumë sesa sot Kosovës, skenës politike dhe shoqërisë në tërësi, nuk i duhen reformat partiake. Dhe, reformimi i tillë të ndodh edhe në aspekt konceptual, edhe programor, edhe strukturor, edhe përfaqësues.

Kjo ka dalë jashtë mode! Apo jo?

Së pari, pothuajse askush nuk beson se partitë politike mund të reformohen. Pothuajse askush nuk beson seshumica e këto partive politike e kanë me të vërtetë qëllimin fisnik për të shërbyer qytetarëve dhe, rrjedhimisht, tëndërtohen nga qytetarët e të gjitha kategorive të cilave synojnë t’u shërbejnë.

Së dyti, shumica e partive politike, fatkeqësisht, duket se ndihen komode dhe të kompletuara përbrenda. Duket se arritjet më të rëndësishme të lidershipit të partive kanë qenë dhe mbetet gjetja e një vendi (pozite) në lidership. Kaq. Të tjerat? Hajt se bëhen.

Porse, të dyja këto premisa vetëm sa po e ndërlikojnë dhe rëndojnë mundësinë që në Kosovë të ndërtohet një qeverisje e mirë, e drejtë dhe zhvillimore. Të dyja këto premisa vetëm sa po e rrisin paqartësinë e fazave tëdemokratizimit të shoqërisë kosovare dhe të dinamikës së zhvillimeve të nevojshme.

Duhet larguar stilin e vjetër të të bërit politikë, kur e gjitha është taktike dhe pothuajse asgjë strategjikisht e planifikuar. Duhet shmangur njëherë e mirëmënyrën e qeverisjes partiake bazuar nësisteme të paqarta ndërlidhjeje, duke vendosur parime dhe kritere të bashkëveprimit partiak për të arritur zbatimin e vizionit dhe pjesës programore.

Një situatë e tillë nuk është e pamundshme. Është jo vetëm e domosdoshme, por edhe e vetmja rrugë drejt demokratizimit të shtetit dhe shoqërisë.

Në të vërtetë, demokratizimi është synimi kryesor për të cilin duhet angazhuar shumë më fuqishëm. Sepse, deri më tash është dëshmuar se vendet e demokratizuara janë më të afta nërolin e vet të brendshëm, rajonal dhe ndërkombëtar.

Sikurse presidenti Bill Klinton ka thënë para më shumë se një dekade, “zgjerimi i komunitetit të shteteve demokratike është një synim strategjik”. Kjo domosdoshmërisht lehtëson ndërtimin e paqes, bashkëpunimit dhe prosperitetit të përgjithshëm.

Njëjtë, edhe Kosova do të mund të luante rol të rëndësishëm brenda dhe në rajon përmes një procesi me hapa të fuqishëm në demokratizim. Ky është kontributi i Kosovës që mund të jep.

Sidoqoftë, pikënisja zakonisht mund të merret tek partitë. Tek organizatat politike, të cilat synojnë të bartin mënyrën e vet të funksionimit edhe në institucione shtetërore.

Sërish kemi nevojë ta kthejmë debatin publik mbi partitë, funksionimin dhe demokratizimin e tyre.

Sa më shumë parimësi, aq më shumë qartësi dhe mundësi zhvillimi.