lajmi.net

“Deklarimet e LDK-së për zgjedhje të parakohshme, joserioze”

Zgjedhje të parakohshme po kërkon Lidhja Demokratike e Kosovës në vazhdimësi, për ç’gjë kohë më parë edhe i nisi tryezat e partive politike.

Lajme

05/08/2018 19:10

Por, njohësit e zhvillimeve politike, i quajnë joserioze deklaratat e zyrtarëve të LDK-së për zgjedhje të parakohshme, duke thënë se ky subjekt, nuk po ndërmerr asnjë veprim konkret në këtë drejtim.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti e ka përsëritur shpesh kohëve të fundit kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Sidomos kur bëhet fjalë për përfaqësimin e Kosovës në dialogun me Serbinë, duke thënë se institucionet aktuale nuk kanë legjitimitet.

“Zgjedhjet janë rruga e vetme për të krijuar institucione legjitime”, ka thënë Hoti.

Edhe në seancën e fundit të Kuvendit kur u debatua për dialogun me Serbinë, deputetët e LDK-së kërkuan që vendi të shkojë në zgjedhje. Një prej tyre ishte edhe Besa Gaxherri.

“Vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe ai kryeministër që fiton legjitimitetin e sovranit, do ta përfaqësojë Kosovën”, është shprehur Gaxherri.

Por, përkundër deklarimeve të vazhdueshme, deri më tani nuk është ndërmarrë ndonjë hap nga LDK-ja për shkuarjen në zgjedhje, sikur që do të ishte mocioni për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.

Prandaj, edhe nga njohësit e zhvillimeve politike, kërkesa e LDK-së për zgjedhje konsiderohet joserioze. Artan Murati nga KDI-ja, thotë se madje edhe kur PSD-ja publikisht i ofroi nënshkrimet për mocion të votëbesimit, LDK-ja heshti dhe nuk ndërmori asnjë veprim konkret.

“Në bazë të veprimeve që po i shohim nga ky subjekt politik po del që edhe kërkesa për zgjedhje nuk është shumë serioze sepse nuk ka veprime që do ta konkretizonin kërkesën e tyre, ose këto deklaratat këto deklaratat e tyre publike që po i japin zyrtarët e LDK-së”, tha Murati për Radio Kosovën.

LDK-ja kohë më parë inicioi tryezat e partive politike, me qëllimin kryesor caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme, por këto tryeza vazhduan me tema të tjera.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se kjo ide ka qenë e dështuar që në fillim.

“Duhet ta bëjmë të qartë se LDK-ja gjithë këtë e bën vetëm për marketing politik. LDK-ja e di saktë se nuk ka mundësi ta dërgojë vendin në zgjedhje dhe vendi nuk mund të shkojë në zgjedhje, po që se edhe ndonjëra nga partitë e koalicionit qeverisës, nuk e mbështet një mocion të mundshëm”, thotë Mushkolaj për Radio Kosovën.

Vendi mund të shkojë në zgjedhjeve, vetëm nëse do të ketë një mocion të suksesshëm votëbesimi, gjë që sipas analistit Blerim Burjani, me numrat aktualë të opozitës, është shumë i vështirë. Madje, sipas Burjanit, LDK-ja as nuk do duhej të ishte në opozitë.

“Nuk ka numra, nuk ka asgjë që do të mund të shtynte neve të mendojmë që një ditë do të ndodhë mocioni. LDK-ja kur e ka votuar demarkacionin, nuk ka pasë më nevojë të merret me këtë punë, por vetëm të jetë pjesë e strukturave qeveritare, ajo do duhej të hynte në Qeveri”, tha Burjani për Radio Kosovën.

Njohësit e zhvillimeve politike nuk shohin zgjedhje të parakohshme gjatë këtij viti, përkundër faktit se secili prej subjekteve opozitare shprehet për zgjedhje. Madje sipas tyre, para se të shkohet në zgjedhje, subjektet politike duhet të ulen paraprakisht dhe të shohin mundësitë për reformë zgjedhore.

LM