Deklarata irrituese e Kuqit: Kam luftuar, prandaj jam Zëvendësministër

Një nga 60 zëvendësministrat e emëruar nga Qeveria e Ramush Haradinajt, është revoltuar me raportimet e fundit të mediave.

Lajme

14/11/2017 14:27

 

Muharrem Kuqi i emëruar zv.ministër nga radhët e Nismës në Ministrinë e Shëndetësisë, ka kërkuar që të respektohet më shumë për shkak të kontributit që ka dhënë, shkruan Gazeta Shneta.

Ai ka shfrytëzuar konferencën për media me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Diabetit, që të kritikojë mediat dhe opinionin për “apostrofimin” e tij me rastin e emërimit.

“Kam nderin që të jem në këtë konferencë si zëvendësministër, të apostrofuar kohëve të fundit shumë në media dhe shfrytëzoj rastin që të bëjë një vërejtje sepse i apostrofuar ndihem edhe unë”, është shprehur ai.

Kuqi, një nga 60 zv.ministrat, është shprehur i pakënaqur që askush nuk ia di kontributin që ka dhënë për Kosovën.

“S’besoj që asnjë prej juve jeni në dijeni se unë kam qenë kontribuues i madh në shëndetësi në kuadër të luftës që ka ndodhur në Kosovë. Ne kemi shfrytëzuar momentumin me disa kolegë intelektual në Zvicër për të formuar një shoqatë të mjekëve e cila quhej ‘Ndihmë për Kosovën’ dhe kemi kontribuuar me mundësitë tona që dhjetëra transporte të sillen në Kosovë për nevoja të luftës”, ka thënë ai, duke arsyetuar kështu emërimin e tij në këtë pozitë.

Kuqi thotë se pajtohet deri diku me mediat për emërimin e numrit të madh të zv.ministrave, ndonëse vet është një prej tyre dhe kishte pranuar emërimin me kënaqësi.

“Në rrethanat e sotit, në formimin e Qeverisë natyrisht se unë pajtohna me një pjesë mediale në emërimin e zëvendësministrave, por unë ju kisha lut që të merreni me emra të përveçshëm”.

Duke kërkuar që të mos apostrofohet, Kuqi tërthorazi e ka bërë një gjë të tillë për kolegun e tij nga një ministri tjetër, më saktë për të shumë përfolurin Gjergj Dedaj i emëruar zv.ministër në Ministrinë e Jashtme.

“Të apostrofoni ata persona që vegjetojnë nga njëri institucion në tjetrin, që me të vërtet shfrytëzojnë postet për paga, kurseni ata njerëz që ose nuk i njihni ose nuk kanë qenë medial, por që kanë katapultu si zëvendësministër”, ka thënë Kuqi, duke vazhduar me fjalë miradije për vetën, “një ndër ta jam edhe unë si ekspertë i një fushe të caktuar në shëndetësi që për shkaqe idelaliste ose që e dua vendin kam përfunduar këtu ku jam sot”, është shprehur ai, ku më tej ka vazhduar të flas për diabetin.