Deda: Po i presim përgjigjet e LDK-AAK-Nisma për kushtet tona

Ilir Deda thotë se Lëvizja Vetëvendosje i ka prezantuar me shkrim parimet bazë të përmbledhura në dokumentin për kornizat politike e operative të qeverisë emergjente. Siç thotë ai, ajo po i pret me shkrim përgjigjet e bllokut LDK-AAK-Nisma për 9 pikat bazë që ndërlidhen me dialogun me Serbinë, dhe 11 pikat bazë që ndërlidhen me ekonomi e sundim të ligjit.

Lajme

24/06/2014 09:39

Ilir Deda, aktivist shumëvjeçar i shoqërisë civile, nga mandati i ardhshëm i Kuvendit të Kosovës, në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, pritet të jetë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan gazeta “Tribuna”.

Në një intervistë për këtë gazetë, Deda sqaron parakushtet politike që blloku i partive LDK, AAK dhe Nisma duhet t’i plotësojnë që të sigurojnë qoftë mbështetjen në Kuvend apo edhe inkuadrimin e Vetëvendosjes në koalicionin me këto parti politike.

“Lirisht mund t’ju them që dokumenti ynë është shtetformues, e forcon shtetësinë e Kosovës dhe e ruan partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, si dhe e lufton korrupsionin e krimin e organizuar dhe mëton ta zhvillojë ekonominë e Republikës tonë”.

Qeverinë e ardhshme ai e sheh si emergjente përderisa kritikon vendimin e presidentes Atifete Jahjaga që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në lidhje me rrugën kushtetuese në formimin e institucioneve të reja.

“Presidentja e ka marrë një qëndrim të nxituar, sepse procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar. Gjithashtu, nëse e lexojmë nenin 84 të Kushtetutës i cili është jashtëzakonisht i qartë se kë e mandaton presidentja për formim të qeverisë së re – atë që e ka shumicën parlamentare në Kuvend”, tha ai për “Tribunën”.