Debutimi i jashtëm i Trumpit me sjellje jokonvencionale

Shumica e presidentëve amerikanë e kanë bërë udhëtimin e tyre të parë jashtë Shteteve të Bashkuara, në vendet e afërta siç janë Kanadaja ose Meksika.

Bota

27/05/2017 16:45

Por, nëse duhet të veçohet një çështje, me të cilën është dëshmuar presidenti Donald Trump në katër muajt e parë të presidencës së tij, atëherë kjo gjë është se ai nuk është president konvencional.

Në vend se të qëndrojë në ujëra të qeta dhe të sigurta diplomatike, shefi aktual i forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara, e ka nisur turneun e tij të parë të jashtëm në Lindjen e Mesme dhe në Evropë, me ç’rast e ka vizituar Arabinë Saudite, Izraelin, Autoritetin Palestinez, Brukselin, Romën dhe Sicilinë.

Në periudhën e betejave të ashpra në shtëpi lidhur me propozimin për buxhet, kujdesin shëndetësor, shkarkimin e drejtorit të agjencisë FBI nga ana e tij dhe hetimet lidhur me kontaktet e administratës së tij me Rusinë, zoti Trump ka shpresuar se do të fitojë simpati nga audienca globale, e cila është skeptike lidhur me agjendën e administratës së tij “Së pari Amerika”.

Përpjekjet e tij për të ndërtuar marrëdhënie me liderët e aleatëve kryesorë duket se kanë arritur rezultat të përzier, duke u dhënë mjaft argumente, si mbështetësve, ashtu edhe kritikëve.

Arabia Saudite

Pasi aeroplani presidencial amerikan “Air Force One”, ateroi në Arabinë Saudite më 20 maj, zoti Trump e filloi pjesën e parë të turneut të tij të parë të jashtëm në Rijad me shumë pompozitet, derisa ai shikonte për ta siguruar Mbretin Salman bin Abdulaziz al-Saud, dhe liderët e më tepër se 50 vendeve myslimane, për mbështetjen amerikane për regjimin e tyre dhe se administrata e tij nuk është anti-islame.

Presidenti amerikan nuk u kthye me duar të zbrazëta. Ai e solli një kontratë për armatim prej 110 miliardë dollarësh, ndërsa ka gjasë që brenda 10 viteve të nënshkruhen marrëveshje deri në 350 miliardë dollarë me Arabinë Saudite.

Trump tha se marrëveshja ishte e nevojshme për ta ulur kërcënimin e terrorit në rajon, ndërsa dëshiron, po ashtu, ta shfrytëzojë shitjen ndërkombëtare të armatimit për të krijuar vende pune në Shtetet e Bashkuara. Ky mesazh është përshëndetur nga mbështetësit e tij.

Por, disa ligjvënës kanë pikëpamje të kundërta, derisa anëtarët demokratë dhe republikanë të Senatit dhe të Dhomës Përfaqësuese, kanë ndërmarrë lëvizje në përpjekje për bllokimin e së paku disa pjesëve të shitjes së armatimit, duke e shtruar pyetjen nëse kjo gjë do të ishte në interesin më të mirë të vendit.

“Me këtë marrëveshje, presidenti Trump ka hedhur benzinë në shtëpinë me zjarr dhe duke e mbyllur derën për të ikur jashtë”, tha Eric Ferrero, drejtor i komunikimeve në degën e organizatës “Amnesty International” në Shtetet e Bashkuara.

Trump nis vizitën në Arabinë Saudite

Në agjendën e zotit Trump ishte edhe vizita në Murin Perëndimor, në Qendrën e Përkujtimit të Holokaustit “Yad Vashem” dhe Muzeun Izraelit, derisa është takuar me kryeministrin Benjamin Netanyahu, presidentin Reuven Rivlin, dhe me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas.

Vizita në vendet hebreje dhe myslimane, dhe takimi me zotin Abbas, ka treguar se Trumpi edhe një herë u është afruar religjioneve të ndryshme, derisa përpiqet të vendosë themel për shtytje drejt negociatave për paqe, për arritjen e asaj që presidenti amerikan e ka quajtur “marrëveshje finale”.

Por, ai i është shmangur premtimit gjatë fushatës së tij për përkushtimin kundërthënës për lëvizjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara nga Tel Avivi në Jerusalem.

​Izraeli e sheh Jerusalemin si kryeqytet të tij të brendshëm dhe dëshiron që të gjitha vendet t’i vendosin aty ambasadat e tyre. Por, shumë aleatë amerikanë e kundërshtojnë një lëvizje të tillë, pasi edhe palestinezët pretendojnë se Jerusalemi është kryeqytet i shtetit të tyre të ardhshëm.

Lidhur me vizitën e zotit Trump në Izrael, gazeta “Haretz” e ka shkruar një koment të ashpër.

“Ne dëshiruam ta rehabilitojmë një pamje të njollosur nga akuzat për antisemitizëm. Por, turneu i madh shpirtëror i presidentit amerikan në Izrael, ishte një absurd i një vargu të gjesteve të zbrazëta”, ka shkruar gazeta, e cila është tallur me një shënim të presidentit Trump në “Yad Vashem”, pasi afër tij e botoi fotografinë e një shënimi më të zgjeruar nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama, në vitin 2008.

Qyteti i Vatikanit

Pjesa e tretë e vizitës së parë të jashtme të presidentit Trump, që ndoshta ishte më pak kontestuese, ishte ajo në Qytetin e Vatikanit, për takim me Papa Françeskun dhe presidentin italian, Sergio Mattarella.

Duke pasur parasysh fillimin kundërthënës të raporteve të tyre kur Papa kishte vënë pikëpyetje në kredencialet e krishtera të Trumpit, gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar, takimi konsiderohet i suksesshëm, pasi Trump dhe Papa këmbyen dhurata dhe folën për gjysmë ore.