Debat i ashpër në Kuvend e Maqedonisë

Gjatë seancës së sotme parlamentare Goran Misovski përmes ndërhyrjes procedurale kërkoi që siç u shpreh ai të ndërpritet ky teatër dhe të zgjidhet Talat Xhaferi për kryetar të Kuvendit. Ai madje në mënyrë direke pyeti kryesuesin e seancës se vallë është Talat Xhaferi ai i cili do ta federalizoj Maqedoninë.

Lajme

28/03/2017 12:51

“Dëshiroj të reagoj sepse ju silleni si kryetar parlamenti dhe jo si kryesues i seancës. Çfarë keni kundër Talat Xhaferit që të zgjidhet kryetar i Kuvendit. Ai që në kohën e juaj ishte ministër! Si mund Talat Xhaferi ta federalizoj Maqedoninë?”, pyeti Misovski.

Ndërkohë Trajko Veljanoski në përgjigjen e tij apeloi deri tek deputetët që të tërhiqen nga replikat dhe kundër-replikat që të mund të arrijnë deri tek pika me katërt që është zgjedhja e kreut të Kuvendit.

Ndryshe edhe sot seanca parlamentare ka vazhduar me replikat dhe kundër replikat. Kështu ndaj fjalimit të Ilija Dimovskit nga VMRO-DPMNE-ja po replikojnë thuajse të gjithë deputetët që vijnë nga kjo parti. E para sot mori fjalën Liljana Zaturovska.

“Për fat të keq problemet në shtet dikush i sheh vetëm nga një prizmë, duke mbajtur llogari vetëm për interes të tyre partiake. Këtë populli e quan egoizëm”, tha Zaturovska.

Ilija Dimovski, gjatë kundër-replikës u ndal në ujësjellësin e Tetovës, temë kjo që nuk korrespondonte me rendin e ditës dhe si e tillë nxiti reagimin procedural të deputetit të BDI-së Xhevat Ademi.

“Nuk është morale të flitet për Tetovën dhe Teuta Arifin, sepse zonja Arifi nuk është deputete dhe ujësjellësi i Tetovës nuk është nën rend dite”, tha Ademi. /AlsatM/