Dardan Molliqaj shprehet kundër AAK-së

Sekretari i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj, ka thënë se të gjithë deputetët e edhe liderët e opozitës do të duhej të gjuanin gaz lotsjellës në Kuvend.

Lajme

21/03/2016 22:29

Ai në Zona B në Klan Kosova ka thënë se nëse do të gjuanin gaz edhe Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, kauza do të ishte edhe më e fortë.

“Visari ka qenë njëri prej njerëzve që ka insistuar që gazi duhet ta hedhim të gjithë, bile ka qenë logjika që s’ka kuptim që deputet të hedhin e liderët jo. Është dashtë ta hedhin gazin edhe liderët. Visari ka qenë njëri prej njerëzve që ka besuar që edhe liderët duhet të qesin gaz”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka thënë se dalja nga Kuvendi ka qenë befasi, dhe ka konsideruar se është dashur të lajmëroj Haradinaj për këtë veprim.

“Dalja prej Kuvendit ka qenë befasi për mua. Zoti Ymeri s’ka qenë informuar për dorëheqjen e Haradinajt, por meqë ishim në një grup të përbashkët, mendoj që është mirë me njoftu. Mendoj që është gabim që Aleanca u doli nga Kuvendi”, ka thënë ai.

Ai është shprehur se është diskutuar edhe bartësi i listës por ai nuk është ndarë i kënaqur.

“Kemi diskutuar bartësin e listës edhe për kandidatin për kryeministër. Nuk jam ndarë i kënaqur nga ai diskutim, pasi marrëveshja të tilla duhet të bëhen mbi kritere”.

Ai ka thënë se “te AAK nuk ka parë vullnetin për të shkuar me listë të përbashkët”.

“Kjo është e papranueshme për mua, mendoj që NISMA ka qenë e gatshme për të hequr dorë nga shumë gjëra që kjo të bëhet”.

“Lista e përbashkët duhet të ndërtohet mbi parime dhe kritere dhe jo mbi interesa politike. Nuk duhet të shkojmë më listë të përbashkët”.

Ai ka deklaruar se ndonëse është kundër një liste të përbashkët opozitare, nëse në Lëvizjen Vetëvendosje vendoset ndryshe, do ta mbështesë.

“Nëse në VV vendoset ndryshe unë do të pajtohem dhe do të punojë për ato që merr vendim partia, pasi në vendimet i marrim me shumicë”.