Dallime drastike ndërmjet kamatave për kursime dhe atyre për kredi

Bankat komerciale që operojnë në Kosovë nuk qëndrojnë keq në aspektin financiar, pasi nuk kanë shumë nevojë për depozita. Kjo vërehet te dallimi rreth 10 për qind ndërmjet normave të interesave të kursimeve që ua paguajnë qytetarëve, dhe atyre që i inkasojnë nga qytetarët të cilët kanë marrë hua nga to.

Lajme

17/08/2014 16:43

Sipas raportit të fundit për muajin qershor të Bankës Qendrore, për të marrë kredi në banka klienti duhet të paguajë kamatën mbi 11 për qind, por nëse qytetarët vendosin që mjetet e tyre t’i mbajnë në llogaritë e kursimeve, atëherë normat e interesit për depozita arrijnë vetëm 0.6 për qind, për ekonomitë familjare 0.5, kurse për ndërmarrjet vetëm 0.3 për qind.

Lidhur me këtë, ekspertë të ekonomisë theksojnë se dallimi i kamatave në kredi dhe kursime është shumë i lartë dhe njëherësh diskriminon dhe destimulon klientët për të deponuar paratë e tyre në institucionet financiare.  

Mejdi Bektashi, ekspert i kësaj fushe, thotë se  nëse krahasohen normat e interesit për depozita me vitet e kaluara, këtë vit ka pasur rënie drastike. Megjithatë, në prononcimin për Radion Evropa e Lirë, Bektashi thotë se ulja e interesit për kursime gjithsesi duhet të reflektohet në uljen e kamatave për kredi.

“Momentalisht, kemi tepricë të madhe të mjeteve që kanë bankat komerciale dhe sipas strategjisë që kanë dhe duhet të zbatojnë për të mbajtur fitimin në nivel të njëjtë, ato duhet të ulin normat e tyre të interesit për kredi. Normalisht që kemi një ulje dhe unë besoj se në pjesën e tretë apo të katërt të këtij viti, normat e interesit do të ulen në shifrën një shifrore, do të thotë patjetër duhet të sillen nën 10 për qind”, vlerëson Bektashi.

Sipas raportit të BQK-së, normat efektive të interesit në depozita kanë qenë më të lartat në vitin 2008 (4.4 për qind). Pastaj për çdo vit kanë shënuar rënie duke shkuar në  3.7, në vitin 2012, dhe 3.4 në vitin 2013.

Ndërkaq, në muajin mars të këtij viti, normat për kursime kanë qenë 1.7 për qind, duke u përgjysmuar në muajin qershor në 0.6 për qind.

Edhe eksperti tjetër për çështje bankare, Milazim Abazi pohon se ulja drastike e normave të interesit për depozita dhe kursime bëhet shkaku i mungesës së konkurrencës në sistemin financiar. Ai, madje, thekson se mosdeponimi i mjeteve në bankat komerciale ndikon negativisht në buxhetin e shtetit dhe zhvillon ekonominë joligjore.

“Po ashtu, i nënshtrohen edhe rreziqeve. Ne të gjithë e dimë sa shumë kemi ‘vuajtur’ që qytetarët tanë t’i bindim që paratë e tyre t’i mbajnë në banka komerciale. Me këto veprime, bankat po destimulojnë qytetarët që t’i mbajnë paratë në banka. Në anën tjetër,  interesat në kredi kanë mbetur të larta, edhe pse interesat në depozita kanë shënuar rënie. Sikur të uleshin normat e kredisë, në një formë do të mund të arsyetohej rënia e normave të kursimeve”, tha Abazi për REL.

Ai konsideron se Banka Qendrore duhet të ndërhyjë në përmirësimin e tregut financiar.

“Këtu shihet roli i zbehtë i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës. BQK-ja si një ent rregullator absolutisht nuk është kah merret me rregullimin e tregut, që në një formë e obligon ligji. BQK-ja është i vetmi autoritet në Kosovë që rregullon tregun bankar”.

“Por, në një formë është duke mbrojtur interesat e bankave ekzistuese, prandaj bankat janë duke treguar fitime marramendëse në kohën e një krize ekonomike”, shprehet Abazi.

Banka Qendrore nuk ka kompetenca që të ndërhyjë në politikat e bankave, kamatat e kredive dhe ato të depozitave e kursimeve.

Por, pavarësisht dallimeve të mëdha midis normës së interesave të kredive dhe të kursimeve të klientëve në 10 bankat  komerciale në Kosovë, në qershor të këtij viti mjetet e qytetarëve dhe ekonomisë të depozituara kanë arritur lartësinë mbi 2. 4 miliardë euro.