Dallaveret me subvencione dhe tenderë në komunën e Gjilanit

Fleta poseduese për tokën e fermerit, ka qenë një nga kushtet për fitimin e subevencioneve në komunën e Gjilanit. Por edhe pse disa aplikues nuk e kishin dëshmuar se toka ishte në emër të tyre, ata kishin fituar subvencion nga komuna.

Lajme

20/06/2018 21:52

Kështu ka gjetur Auditori i Përgjithshëm në raportin për vitin 2017.

Shuma e përcaktuar për subvencione nga komuna e Lutfi Hazirit në total ka qenë 22 mijë e 893 euro, shkruan lajmi.net.

“Në projektin për subvencionimin e fermerëve “Fare gruri” në vlerë 22,893€, në disa dosje te aplikuesve, kemi vërejtur se një ndër kriteret e kërkuara siç ishte fleta poseduese e tokës, nuk ishte plotësuar, pasi që aplikuesit nuk kishin dëshmuar se tokat ishin në emër të tyre, ndonëse ishin përzgjedhur si të përgjegjshëm dhe ishin përfitues të subvencioneve”, ka gjetur Auditori.

Veç kësaj Auditori ka gjetur shkelje edhe në disa organizime tjera të komunës, që janë bërë me fondet publike.

“Gjithashtu, komuna kishte subvencionuar manifestimin “Muaji i mërgimtarëve” në vlerë 4,000€, me vendim te Kryetarit te Komunës. Komuna nuk kishte lidhur një marrëveshje mirëkuptimi me OJQ-në e subvencionuar, ashtu siç parashihet ne rregullore. Mungonte po ashtu raporti narrativ për zhvillimin e aktiviteteve. Ndërsa, për subvencionin e ndarë ndaj teatrit në vlerë 12,420€, për shfaqjen Talia, teatri nuk kishte ofruar raportin narrativ lidhur me subvencionin e shpenzuar”, thuhet në raport.

Në raportin e vitit të kaluar të Auditorit është gjetur se në tri kontrata, komuna ka tejkaluar pagesën dukshëm përkundër çmimit të kontraktuar.

Madje në një kontrat të ndriçimit publik shuma e kontraktuar ka qenë 166 mijë euro, kurse në fund janë paguar mbi 267 mijë euro.

“Në kontratën për “Mirëmbajtje të ndriçimit publik për fshatrat e Komunës së Gjilanit” në vlerë 166,674€, vlera e punëve të kryera sipas situacioneve të përfunduara ishte 267,583€, duke tejkaluar vlerën e kontratës për 100,909€, ose 61%. Nga raporti i menaxherit të projektit, nuk kishte ndonjë arsyetim për tejkalimin e kontratës”, ka gjetur tutje Auditori.

104 mijë euro më shumë komuna ka paguar në një projekt tjetër. Për kontratën “Hartimi i projekteve kryesore në komunën e Gjilanit”, komuna kishte kontraktuar shumën 18 mijë e 364 euro.

E gjithsejt për këtë kontratë janë shpenzuar hiç më pak se 122 mijë euro.

“Vlera e kontratës “Hartimi i projekteve kryesore në komunën e Gjilanit llot-2“ ishte 18,364€, ndërsa nga dy pagesa të testuara lidhur me këtë kontratë, shpenzimet ishin në vlerë 122,425€. Vlera e tejkaluar e kontratës ishte 104,061€, duke tejkaluar vlerën e kontratës afro gjashtë here”, është gjetja tjetër e Auditorit të Përgjithshëm./Lajmi.net/