Dajak në shkollë në Skënderaj

Një rrahje ka ndodhur dje në shkollën fillore “Ahmet Delia” në Skënderaj ndërmjet Zëvendës Drejtorit të shkollës dhe nj arsimtari në sy të nxënësve. Raportohet se që të dy kanë pranuar ndihmë mjekësore, por asnjëri nga ta nuk është ndaluar nga Policia.

Lajme

21/02/2014 14:20

Një përleshje ndërmjet stafit arsimor ka ndodhur dje në shkollën fillore “Ahmet Delia” në Skënderaj.

Përleshja ka ndodhur ndërmjet një mësimdhënësi dhe Zëvendës Drejtorit të shkollës në sytë e nxënësve.

Agjencia e lajmeve mitrovicatoppress raporton se skenat me britma, sharje dhe shtyrje kishin tmerruar nxënësit, sidomos ata të klasës së VIII/1 ku është zhvilluar e gjithë ngjarja.

Përleshja kishte përfunduar me lëndime trupore të mësimdhënësit Fadil Shaqiri, i cili më parë ka qenë Zëvendës Drejtor, por policia ka thënë se ndihmë mjekësore ka kërkuar edhe Zëvendës Drejtori aktual i shkollës, Besart Rreci.

Policia ka shkuar në shkollë, ka marrë deklaratat nga dy të përfshirët në rrahje dhe nga Drejtoresha e Shkollës, Resmie Koci, por është raportuar nëse ka pasur të ndaluar.

Zyrtarë policorë kanë qenë në këtë shkollë edhe të premten për të biseduar sërish me Drejtoreshën e shkollës, ku i pranishëm ishte edhe Zëvendës Drejtori.

Ndërsa arsimtari Fadil Shaqiri nuk ka shkuar fare në shkollë, të premten, raporton kjo agjenci.

Zyrtarë të Komunës së Skënderajt nuk kanë dashur ta komentojnë rastin pa u zbardhur ngjarja.

“Ne po presim që policia të dalë me raportin e vet për shkaqet që kanë çuar deri te konflikti në mes të mësimdhënësit dhe udhëheqjes së shkollës. Më pas do t’i marrim masat ndaj shkaktarëve të këtij incidenti”.

“Na vjen keq që skena të tilla të dhunës kanë ndodhur në një institucion edukativ dhe arsimor dhe sigurojmë se do të punohet maksimalisht që ngjarje të tilla të mos ndodhin në të ardhmen”, ka thënë Hajriz Koci, Zëdhënës i Komunës së Skënderajt.