Dacic, këngë për Ashton

Ivica Dacic i ka kënduar këngë dashurie Baroneshës Catherine Ashton. Këto vargje, Dacic ia kishte kushtuar ndërmjetësueses së dialogut Kosovë-Serbi, gjatë vizitës së fundit që kjo i kishte bërë Beogradit.

Lajme

07/12/2013 09:52

Kryeministri i Serbisë Ivica Dacic, gjatë bisedimeve në Bruksel, ka zbutur qëndrimin e Serbisë dhe kërkesat e saj rreth Kosovës. Sipas të përditshmes serbe “Blic”, bëhet e ditur se Dacic i ka kënduar ndërmjetësues së dialogut Catherine Ashton.

“Më fal Catherine, ndoshta nuk kam qenë i mirë, edhe pse më ke pëlqyer, më fal Catherine, çdo gjë tashmë është tretur, dashurisë tonë nuk i ka mbetur asnjë gjurmë”. Kështu ka kënduar Dacic gjatë kohës kur është diskutuar për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë.

Burime të Blic’it bënë të ditur se kryeministri serb i ka kënduar Baroneshës Ashton në një restorant në Beograd, gjatë vizitës së fundit që i kishte bërë Serbisë. Darka kishte qenë jo formale, ndërsa më pas Dacic kishte filluar që të përkujdeset për atmosferë.

Ashton kishte kuptuar menjëherë se këto vargje po i drejtoheshin asaj, pasi kishte edhe përkthyes pranë saj, dhe thuhej se ishte ndarë e kënaqur nga këto fjalë. Më pas atmosfera në restorant kishte filluar të jetë relaksuese, thonë burime të Blic’it që kanë qenë pjesë e këtij ahengu.