“Cunami” në Gjakovë, 20 të arrestuar

Njëzetë persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës, gjatë aksionit “Cunami” të realizuar në qytetin e Gjakovës. Gjatë këtij operacioni policia ka konfiskuar armë ilegale, thika, elektroshok, municion të kalibrave të ndryshëm dhe boksa metalik.

Lajme

19/01/2014 14:24

Aksioni i Policisë së Kosovës i ndërmarrë mbrëmë në Gjakovë ka dhënë rezultate të mira.

Policia ka arritur të konfiskoi municion dhe armë ilegale dhe ka arrestuar 20 persona të dyshuar.

Aksioni është koduar me emrin “Cunami” dhe gjatë tij policia ka konfiskuar armë ilegale, thika, elektroshok, municion të kalibrave të ndryshëm dhe boksa metalik.

“Policia e Kosovës, konkretisht Stacioni Policor Gjakovë i përkrahur edhe nga njësitet tjera relevante policore, me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjakovë ka realizuar një operacion të suksesshëm policor të koduar me emrin “Cunami” me ç’rast ka kontrolluar 15 lokale afariste dhe ka arrestuar 20 persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale”.

“Gjatë implementimit te planit policor në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar: 5 armë ilegale (dy pushke gjuetie dhe 3 revole, 1 elektroshok , 28 municione të kalibrave të ndryshëm, 2 thika, 1 boks metali (sulmues) dhe 1 këllëf revole”.

“Në kuadër të 20 personave të arrestuar, prej tyre 5 persona janë për Mbajtje ne Pronësi dhe kontroll te paautorizuar te armës, ndërsa 2 persona për ‘Veprimtari të pandërgjegjshme ekonomike dhe Prishje e Rendit dhe Qetësisë Publike”.

“Po ashtu në kuadër të planit policor sipas autorizimeve policore dhe sipas listave te personave te kërkuar janë arrestuar edhe 13 persona të kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë”.

“I gjithë operacioni policor është mbikëqyrur intensivisht nga Komandanti i Operacionit dhe Komandanti taktik në terren dhe se gjithçka ka shkuar ne rregull sipas planit operativ.”

 

Një foto e provave materiale të konfiskuara gjatë operacionit policor.