Ç’po ndodhë me Xhaminë Qendrore dhe Katedralen “Nënë Tereza”?

Dy tempujt kryesorë të dy feve më të mëdha në vend, shumë të përfolurat – Xhamia Qendrore në Prishtinë dhe Katedralja “Nëna Terezë”, duket se nuk po arrijnë të ngrihen nga “pluhuri” i krijuar nga kundërthëniet e opinionit lidhur me arsyeshmërinë e ndërtimit të tyre. Njëra ka mbetur ende aty,  tek gurthemeli, ndërsa për tjetrën po thuhet se përfundimi i ndërtimit mund të zgjasë me dekada.

Lajme

09/07/2014 15:20

Besimtarët Islamë dhe ata Krishterë kanë pritur gjatë për ndërtimin e një kulti meritor për fetë e tyre, fe që mbulojnë shumicën e vendit. Por, shumica në këtë rast, ata të besimit Islam nuk e kanë ende kënaqësinë të shijojnë lutje në xhaminë e re të shumëpërfolur tek parkingu i Postës së Kosovës.

Ndërsa Katedralja edhe pse tashmë funksionon për besimtarët e saj, si objekt ende ka mbetur i papërfunduar, bile, skelet në njërën nga rrugët e Prishtinës kanë qëndruar me muaj për ndërtimin e një pjese të këtij kulti fetar.

Të dy konfeksionet fetare, para fillimit të ndërtimit të këtyre dy objekteve, ankoheshin se kanë probleme me hapësirën e ndërtimit. Nuk kaloi shumë kohë dhe ai problem u zgjidh, duke u gjetur hapësira publike në qendër të Prishtinës për ndërtimin e tyre.

Komuna e Prishtinës, për ndërtimin e Katedrales kishte ndarë hapësirën ku gjendej Gjimnazi “Xhevdet Doda”, ndërsa për ndërtimin e Xhamisë, parkun pranë objektit kryesor të Postës.

Por, përkundër kësaj, udhëheqësit e këtyre dy feve, edhe pas një kohe të gjatë, nuk kanë arritur të finalizojnë këto projekte?

Për xhaminë më të madhe në qytet nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), kanë thënë se ende po presin përfundimin e projektit në Turqi, i cili po modifikohet për çdo detaj.

Zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu, i ka thënë lajmi.net se shkaku kryesor pse xhamia ende s’ka nisur punimet është përgatitja projektit në Turqi. Ndërsa thotë se është i vetëdijshëm për problemet e besimtarëve gjatë kryerjes së faljes së tyre.

“Kemi të bëjmë me projektin i cili është duke u përgatitur për çdo detaj në Turqi. Presim që të përfundojë dhe ne pastaj t’i kompletojmë dokumentacionet dhe të fillojmë me ndërtimin e saj”.

“Sa i përket anës tonë, ne sa më shpejtë jemi të interesuar që të fillojmë me ndërtimin e saj, ta zgjidhim këtë problem, për shkak se tash verë e dimër nëpër vapë, nëpër borë, e shi, besimtarët e besimit Islam nuk kanë hapësira të mjaftueshme për t’i kryer ritualet e tyre. Por, ata e shfrytëzojnë këtë nëpër rrugë, nëpër skute e nëpër vende të ndryshme  si të detyruar për ta bërë një gjë të tillë”, tha Sadriu.

Ai thotë se me ndërtimin e kësaj xhamie do të përmbushen sado pak kërkesat e myslimanëve që të kenë mundësi të kryejnë ritualet në mënyrë më komode.

Ndryshe nga xhamia e paralajmëruar, rreth 500 metër më larg, katedralja “Nëna Terezë” në qendër të Prishtinës, është kompletuar sa i përket mundësive për kryerjen e ritualeve fetare për besimtarët e saj. Por, punimet në të ende nuk kanë sosur.

Kancelari i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Shan Zefi, i pyetur nga lajmi.net në lidhje me shkakun e mospërfundimit të këtij objekti, ka thënë se për këtë lypset kohë.

Siç shprehët ai, për ndërtimin e një katedraleje të vërtetë duhen dekada, ndërsa thotë se tek përfundimi i saj mund të vihet për kohë më të shkurtër se ç’është menduar.

Nëse Don Shan Zefi, kur e thotë këtë, bazohet në ndërtimin e Katedrales gotike Bazilika në Milan, e cila ka filluar ndërtimin që nga viti 1386, atëherë, besimtarët katolikë duhet të shpresojnë që ky objekt i kompletuar mund të shijohet vetëm nga pasardhësit e tyre.

Por, duke e parë që ndjeshmëria e ndërtimit të katedrales në Prishtinë, nuk krahasohet me atë të Milanos, apo të ndonjë katedraleje tjetër mesjetare, gjithashtu edhe avancimin e teknologjisë së ndërtimit, Don Shan Zefi, ka shkurtuar periudhën e ndërtimit duke mos e llogaritur atë me shekuj, por me dekada.

“Katedralja nuk ka ngecur. Ajo është një ndërmarrje e madhe dhe ato ndërtohen gjatë dekadave. Ose deri në përfundimin e saj, që ajo të jetë vërtetë një katedrale, lypset kohë”.

“Nuk mund të saktësohet data e përpiktë, sepse, varet shumë prej donacioneve ose fondeve dhe ky është problem kyç. Tjetër problem nuk ka. Kemi shtruar edhe mermerin përbrenda katedrales. Kemi filluar edhe me dekorativin që janë pjesë shumë artistike e shumë të kushtueshme”.

“Jo që janë ndërprerë punimet në Katedrale, mirëpo ato po ecin më ngadalë. Nuk është ajo që shihet nga jashtë. Pa dyshim punimet vazhdojnë edhe sot e kësaj dite”, tha Zefi në lajmi.net.

Xhamisë Qendrore i është vënë gurëthemeli në tetor të vitit 2012. Kurse katedrales në vitin 2005.