Çollaku: U plotësua edhe një rekomandim, për keqardhje sjellja anti evropiane e opozitës

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku thotë se është për keqardhje sjellja e sotme anti evropiane e opozitës.

Lajme

19/02/2016 21:15

Megjithatë, falënderon deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të cilët, siç thotë ai, edhe përkundër rrethanave të papranueshme të krijuar nga përdorimi i gazit lotsjellës nga opozita në Kuvend, punuan për të ardhmen Evropiane të Kosovës dhe procesin e liberalizimit të vizave, raporton lajmi.net.

“Përkundër kësaj, dua të falënderoj Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli për trajtimin me prioritet të të gjitha kërkesave që dalin nga procesi i liberalizimit të vizave”, tha Çollaku.

Çollaku tha më tutje se Kuvendi sot miratoi plotësim-ndryshimet në Ligjin e Prokurimit Publik të cilat i hapin rrugë funksionalizimit të Bordit të Organit Shqyrtues për Prokurim Publik, dhe njëherit ofron masa shtesë ligjore të cilat sigurojnë pavarësinë funksionale të këtij Institucioni, gjë që ka qenë edhe rekomandim i Komisionit Evropian./Lajmi.net.