Clooney tregon për propozimin e tmerrshëm për martesë që ia ka bërë Amal-it

George Clooney e kishte një martesë përrallore me gruan e tij Amal në vitin 2014, por gjërat nuk filluan në mënyrë edhe aq të përkryer.

ShowBiz

04/02/2016 23:38

Fituesi i çmimit Oscar të enjten ishte i ftuar në emisionin “The Ellen DeGeneres Show”, ku shpalosi se si vendosi të martohej dhe si ishte momenti i propozimit për martesë.

Ai zbuloi se për atë moment, siç e quajti “të tmerrshëm”, i është dashur të mendohej rreth gjashtë muaj.

“Çdo gjë ishte e planifikuar dhe madje e kam gatuar edhe darkën. E kam vendosur unazën prapa ulëses së saj. E kam rregulluar edhe playlistën e këngëve. Ajo sapo ishte kthyer nga Londra dhe në një moment ngritet që t’i lajë enët, gjë që nuk e kishte bërë kurrë. Unë tentoj t’i bëjë me dije se diçka po ngjet por Amal asesi nuk e kuptonte”, ka sqaruar aktori.

Sipas tij e gjithë kjo situatë e sikletshme ka zgjatur 25 minuta, deri sa ai vendosi që t’i bijë gjërave më shkurt.

“Në një moment i thash: E di çfarë, e shuajta zjarrin e qiriut dhe mendoj se çakmaku ndodhet prapa teje. Ajo sheh që prapa saj ishte një kuti e vogël, dhe më tha: Është unazë, thua se ishte aty për një kohë të gjatë dhe se e ka lënë dikush tjetër, ka shtuar ai.

Në atë moment ai tregon se është gjunjëzuar dhe e ka lutur që ajo t’i përgjigjej me “Po” menjëherë, meqë sipas tij ai ishte 52 vjeçar dhe nga momenti në moment ijet e tij mund të thyheshin.

Clooney u martua me avokaten e të drejtave të njeriut Amal Alamuddin në Venecia të Italisë, martesë kjo që i ka befasuar shumicën në Hollywood, meqë ai në mënyrë të përsëritur kishte deklaruar se nuk do të martohej më asnjëherë, pas një martese të dështuar me Talia Balsam, më të cilën ishte divorcuar në vitin 1993 pas katër vjetësh martese./Klan Kosova.