Çka po bënë qeveria që Kosova të mos jetë vendi më i ndoturi në botë?

Një debat për dhe kundër u zhvillua në Parlamentin e Kosovës lidhur me Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për automjete. Dilema ishte për amendamentin e tretë, i cili ka të bëjë me vjetërsinë e makinave të importuara që mund të ndikojnë në cilësinë e ajrit. Pa marrë parasysh këtë, masat e ndërmarrja deri më tani nga Qeveria e Kosovës për përmirësimin e cilësisë së ajrit zor që do të ndikojnë që edhe këtë vit Kosova të mos jetë nder vendet me ajrin më të ndotur në botë.

Lajme

11/07/2018 12:37

Në sezonin e dimrit, qyteti i Prishtinës është zhytur në smog që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra dhe aerosole. Sipas të dhënave të Agjensionit të Mbrotjes së Mjedisit dhe Ambasadës Amerikane vlerat e PM 2.5 janë shumë herë mbi vlerat e lejuara. Kësisoj, Kosova u radhitë disa herë si vendi i parë në botë më ndotjen më të lartë, shkruan lajmi.net.

Alarmi për ndotje vazhdoi disa ditë, dhe u tentua që të bëhen disa zgjidhje ad-hok nga Komunat, kryesisht nga ajo Prishtinës. Ndërsa, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë me 19 pika e cila kërkon që ambienti të jetë prioritet i lartë për Qeverinë e Kosovës. Urgjentisht 8 rekomandime për Qeverinë komunale i miratoi edhe Asambleja e Prishtinës. Zyra e kryeministrit dhe Komuna e Prishtinës nuk kanë dashur të flasin lidhur më atë se çka po bëjnë këto dy qeveri për të adresuar ato rekomandime. Ndërkaq, Në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor thotë se i kanë marr seriozisht obligimet që kanë dal prej Kuvendit të Kosovës për përmirësimin e cilësisë së ajrit.

“Sigurisht, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e ka trajtuar me një vëmendje dhe konsideratë të veçantë Rezolutën e Kuvendit të Kosovës e miratuar në fillim të muajit shkurt të 2018. Sa i përket çështjes së prioritizimit në nivel shtetëror të mbrojtjes së ambientit, ne si Ministri e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kemi iniciuar themelimin e Task Forcës ndër-ministrore për trajtimin e problemeve me ndotjen e ajrit, të cilën e udhëheqë Ministrja e MMPH-së, Albena Reshitaj. Në takimin e parë të Task Forcës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka kërkuar nga  MZHE që të vendosen elektro-filtrat e cilësisë së duhur në termocentralet e KEK-ut. Por, çështja e vendosjes së elektro-filtrave të cilësisë nuk hy në domenin e fushëveprimtarisë së MMPH-së, megjithatë ministria së bashku me inspektoratin qendror ka bërë inspektime të vazhdueshme tek TC Kosova A dhe B, me qëllimin e parandalimit të ndotjes së ajrit. Po ashtu, MMPH nën udhëheqjen e Ministres Reshitaj ka proceduar ligjin e ri për mbrojtjen e Ajrit nga ndotja, nga i cili dalin edhe udhëzimet administrative për secilin institucion”, tha për lajmi.net, Mirlind Behluli, këshilltar në kabinetin e ministres së MMPH-së, Albena Reshitaj.

Në kuadër të Task Forcës për trajtimin e problemeve me ndotjen e ajrit, Behluli thotë se, ministrja Reshitaj në vazhdimësi ka insistuar që Qeveria të marrë një vendim për ndalimin e përdorimit e thëngjillit për ngrohje të ndërtesave kolektive, ashtu siç e kërkon edhe vetë Rezoluta e Kuvendit. “Në këtë aspekt, Ministrja Reshitaj ka takuar kryetarët e komunave nga të cilët ka kërkuar me ngulm ndërmarrjen e hapave konkret dhe krijimin e mekanizmave që do të ndihmonin qytetarët të heqin dorë nga përdorimi për ngrohje të lëndëve djegëse të dëmshme për ambientin”, shtoi tutje këshilltari i ministres.

Ai thotë se ministrja Reshitaj me theks të veçantë ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës të kontrollojë cilësinë e gazrave që emitohen nga veturat dhe sigurimin e cilësisë në kontrollin teknik të automjeteve. Në të njëjtën kohë, sipas tij, MMPH ka vazhduar aktivitetin e saj të përditshëm në menaxhimin e efektshëm të deponive të mbeturinave, ku vetëm në javën e Mjedisit, MMPH në bashkëpunim me komunat dhe shoqërinë civile janë larguar dhjetëra deponi ilegale.

“Për më shumë, Ministrja Reshitaj ka propozuar në projekt buxhetin për vitin 2019 krijimin e shumë zonave të reja të gjelbërta, të cilat do të ndihmojnë në ngritjen e cilësisë së ajrit në Kosovë. Por, duke qenë në dijeni se vetëm masat dhe përpjekjet ministrore për ngritjen e cilësisë së ajrit nuk janë të mjaftueshme, Ministrja Reshitaj në kuadër të takimeve të Task Forcës ka kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë përfshirjen e sa më shumë elementeve të promovimit dhe mbrojtjes së mjedisit në tekstet shkollore. Iniciativa për gjelbërimin e Kosovës dhe edukimin e qytetarëve për rolin vendimtar të tyre në cilësinë e ajrit janë pjesa më kruciale e aktivitetit të Ministres Reshitaj përgjatë mandatit të saj si Ministre e MMPH-së”, tha Behluli.

Efektet afatshkurta të aerondotjes nga partikulat sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmës bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyera, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjes e shkallës së mortalitetit.

Si burime potencialisht ndotëse tashmë të njohura janë termocentralet elektrike, përdorimi i ngrohjes në sezonën e dimrit, automjetet e vjetërsuara dhe trafiku i dendur, djegja e shtuar e karburanteve dhe lëndëve të ngurta djegëse, djegja e mbeturinave,  mungesa e sipërfaqeve të mjaftueshme gjelbëruese, mos pastrimi i rrugëve, ndërtimet gjatë tërë vitit pa plan të mirëfillt urbanistik, prania enorme e pluhurit në qytet.

Pas debatit dy ditor për ndotjen alarmante të ajrit, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar rezolutën e cila kërkon që ambienti të jetë prioritet i lartë për Qeverinë e Kosovës.

Rezoluta kishte marrë mbështetjen e të gjitha grupeve parlamentare.

Rezoluta e plotë:

  1. Mbrojtja e ambientit të shndërrohet në prioritet shtetëror të Qeverisë së Republikës së Kosovës,
  2. Kërkohet nga Qeveria e Kosovës të rishikohet dhe plotësohet me masa shtesë në Strategjinë për mbrojtjen e mjedisit brenda gjashtë mujorit të parë të këtij viti,
  3. Të vendosen elektorfiltrat e cilësisë së duhur në termocentralet e KEK-ut deri në fund të vitit kalendarik 2018,
  4. Të behet kontrolli i cilësisë së karburanteve dhe gazit sipas ligjeve në fuqi dhe të sigurohen kapacitetet e duhura deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2018 për të siguruar kontroll cilësor,
  5. Të ndahet buxhet për izolimin e ndërtesave publike, me prioritet objektet e institucioneve shëndetësore dhe arsimore për të siguruar efiqiencë të energjisë, ngrohje të mjaftueshme dhe ambientaliasht të pranueshme,
  6. Qeveria obligohet që të shikoj mundësinë të ndajë buxhet shtesë që do t;i shtoheshin mjeteve tashmë të dedikuara nga MCC (Korporata e Sfidave të Mijëvjeqarit) në vlerrë prej 22 milionë dollarë, me qëllim që të ndihmohen projektet e ndërlidhura me efiqiencë,
  7. Të shtohen investimet kapitale për ngrohtoren “Termokos”, duke siguruar fonde shtesë për dyfishimin e kapacitetit të koogjenerimit, nga 140 megaëat në 280 megaëat energji termike, në mënyrë që të zgjerohet më shpejt rrjeti i ngrohtores në të gjitha lagjet e kryeqytetit, ku kjo është e mundur, përmes projektit të koogjenerimit. Po ashtu të krijohen mundësitë që edhe qytetet e tjera të lidhen me këtë projekt. Kjo të realizohet brenda afatit 2 vjeçar,
  8. Të koordinohet Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, bazuar në kërkesat e komunave dhe institucioneve përkatëse, në përputhje me Strategjinë e rishikuar nacionale për mbrojtje të mjedisit, për mbjellje të fidanëve, krijimin e hapësirave të reja të gjelbëruara si dhe të shikohet mundësia e implementimit të pajisjeve me teknologji të avancuar si ‘drunj e mençur,
  9. Kuvendi i Kosovës kërkon nga Komunat ku kemi ndotjet ajrit t’i shikojnë me urgjencë politikat për subvencionimin e qytetarëve që përdorin ngrohje me lëndë djegëse të dëmshme për ambientin dhe këtyre të iu krijohen mekanizma për të kaluar në mënyra më të pastra për ngrohje
  10. Qeveria të merr vendim për ndalimin e përdorimit të thëngjillit për ngrohje të ndërtesave kolektive,
  11. Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria, respektivisht ministria përkatëse që investitorët e interesuar për investime në ndërtimin e kapaciteteve të gjenerueshme të energjisë, t’i ndihmojë që këta të pajisen më shpejt me dokumentacion dhe leje të duhura për fillim të ndërtimit të këtyre kapaciteteve,
  12. Të ndërmerren hapa konkret për lidhjen me gazsjellës përmes Shqipërisë, i cili krijon mundësinë e përdorimit të gazit që do të kishte përfitime mjedisore dhe ekonomike,
  13. Të ndërmerren hapa konkret nga qeveria e Kosovës që të ndihmojë qytetet e prekura nga ndotja e ajrit në ndërtimin e flotës për transport publik, duke shikuar edhe mundësinë e ndërtimit të kapaciteteve për transport modern elektrik,
  14. Të menaxhohen efektshëm dhe të kontrollohen rigorozisht deponitë e mbeturinave,
  15. Kërkohet nga Qeveria që të marr masa në sigurimin e cilësisë në kontrollin teknik të automjeteve, sipas ligjeve në fuqi, direktivat e BE-së, duke vendosur theks të veçantë në kontrollin e cilësisë së gazrave që emetohen nga këto automjete,
  16. Kërkohet nga Qeveria dhe institucionet përkatëse, të respektojnë të gjitha ligjet në fuqi që ndërlidhen me ndotjen e ambientit,
  17. Të kërkohet nga inspektoriatet komunale dhe shtetërore që ta monitorojnë situatën në përputhje me ligjin,
  18. Inkurajimi dhe përkrahja e projekteve kreative të cilat do të ishin në funksion të përmirësimit të gjendjes aktuale shqetësuese të ndotjes së ajrit dhe
  19. Në rast se Qeveria e Kosovës nuk zbaton masat e propozuara, Kuvendi i Kosovës do të filloj procedurat për ndryshimin e nenin 52 të Kushtetutës së Kosovës në mënyrë që e drejta në ajër të pastër dhe ujë të pastër të përfshihet si e drejtë e garantuar e njeriut në Kushtetutë.

Po ashtu, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte dalë me disa rekomandime për përmirësimin e cilësisë së ajrit në Komunën e Prishtinës, por të cilat Komuna nuk i ka adresuar akoma. /Lajmi.net/

Më poshtë mund të shihni rekomandimet: