Çka e pret Kosovën? Mësimi i Shqipërisë!

Rruga e Shqipërisë për në BE, për në Perëndim pra, kësaj here i ra kah Jugu. Udha për tu bërë pjesë e Qytetërimit Evropian, ra kah një fshat, çfarë është Lazarati.

Opinion

25/06/2014 12:34

Gjithsesi ekzistojnë dy lloj shpjegimesh dhe arsyetimesh pse Shqipëria, këtë të martë, me 24 qershor, fitoi statusin e shtetit kandidat për të hyrë në Bashkimin Evropian.

Tej këtyre sqarimeve, natyrisht, ky lajm ka vlerë kombëtare për shqiptarët, dhe paralajmëron që Shqipëria dhe Kosova, në një periudhë kohore që në historinë e shteteve nuk kualifikohet si e gjatë, do të jenë anëtare fuqiplota të Bashkimit Evropian.

Shpjegimi i parë njeh terminologjinë e njohur për procesin gjithsesi të ndërlikuar të klasifikimit të një shteti për të hyrë në klubin politik dhe ekonomik evropian.

Aty flitet për reformat e llojllojshme në funksionimin e një shteti, për ndryshimet në legjislacionin e atij vendi, për gatishmërinë që të kenë disiplinë financiare, për arritjen e një cilësie e cila atë vend, që aspiron për të qenë pjesë e BE-së, e bën të barabartë me shtetet tjera të BE-së.

Shpjegimi i dytë që na dëfton shkakun kryesor (në fakt), për marrjen e statusit të shtetit kandidat, i tëri përthekohet me një fjalë të vetme: Lazarati.

Rruga e Shqipërisë për në BE, për në Perëndim pra, kësaj here i ra kah Jugu.

Udha për tu bërë pjesë e Qytetërimit Evropian, në kuptimin e plotë të fjalës, ra kah një fshat, çfarë është Lazarati.

Po mos të ishte ky veprim i prerë i Qeverisë së sotme të Shqipërisë, sot dhe gjashtë muajt vijues, deri në rastin tjetër për Shqipërinë (që do t’i ofrohej Tiranës në dhjetorin e këtij viti), do të flitej e stër-flitej, nëpër përplasjet që kanë humbur çdo shije dhe çdo kuptim në Shqipëri, për fajet dhe stër-fajet e dështimeve të njëpasnjëshme të këtij shteti për ta prerë buletën për fazën finale të rrugëtimit për Bruksel.

Kaq e thjeshtë është puna.

Dhe këtu vjen pastaj në shprehje një tjetër konstatim në formë të pyetjes së rëndë: A do ta kishte vullnetin dhe guximin Qeveria e Shqipërisë të veprojë në Lazarat tash, poqëse nuk do ta kishte saçin mbi kokë të domosdoshmërisë së ndërmarrjes së këtillë, në kuadër të atij nocioni të stërnjohur për të gjithë, të Sundimit të Ligjit, në mënyrë që të fitohet statusi i shtetit kandidat për të hyrë në BE?

U tha që është konkludim në trajtë të pyetjes. Përgjigjen e dimë të gjithë ne.

E njëjta pyetje është bërë, në një mënyrë apo tjetrën, edhe kur Qeveritë e Kroacisë dhe të Serbisë, kanë marrë vendimet dhe kanë ndërmarrë veprimet e domosdoshme për tu afruar kah stacioni i Brukselit.

Zagrebi zyrtar ka hezituar një kohë, e pastaj, kur i gjithë shteti është bërë peng i një elite të korruptuar dhe të komprometuar politike, është detyruar të bëjë hapa të vendosur në ndjekjen ligjore të shumë ish-zyrtarëve, duke përfshirë edhe vetë ish-kryeministrin e vendit, Ivo Sanaderin.

Po mos të ishte ‘zullumi’ i Brukselit, do të vazhdonte bashkëjetesa e politikës me korrupsionin.

Kroacia vitin e kaluar u bë shteti i 28-të i Bashkimit Evropian.

Beogradi zyrtar i ka po të njëjtat halle që i ka pasur pak vite më parë Zagrebi  (lidhja direkte e shtetit dhe krimit), duke ia shtuar këtu edhe Kosovën. Normalizimin i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, të cilat, në të gjitha dokumentet zyrtare të BE-së, kanë udhët e veçuara dhe të veçanta në procesin e anëtarësimit në BE, është parakusht që Serbia të mbërrijë në BE.

Po mos të ishte ky presion i Brukselit, Serbia nuk do ta bënte as një të vetmin hap të duhur karshi Kosovës, ndërsa ndërmarrja e normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi, është ende në fazën fillestare. Shumë punë ka për tu bërë në vitet e ardhshme.

Në rastin e Kosovës, Prishtina zyrtare ka gjithsesi interes të vetin themelor që të ndodhë largimi përfundimtar i Serbisë nga Kosova (që ka nisë në qershorin e vitit 1999), integrimi final i veriut dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, i cili në hapin e tij final parasheh njohjen reciproke të këtyre dy shteteve.

Por duket që edhe në Kosovë, po vjen koha, kur elita politike kosovare do të merr vesh më qartë se kurrë më parë, që përshpejtimi i procesit të inkuadrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, e ka një ‘Kod të mirësjelljes’, i cili nënkupton që Sundimi i Ligjit të jetë themeli i shtetit të Kosovës, dhe që ata që mëdyshin, dëmtojnë, cenojnë këtë ‘Kod’, pa marrë parasysh kush janë, do të ndëshkohen.

Nuk ka ndryshe. Nuk bën ndryshe.

Më së miri do të ishte të mbërrihej te ky konkludim në Kosovë, prej vet nesh, e jo mbas porosive dhe presioneve të Brukselit.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)