Çka do të ndodhë më 3 gusht?

Barra e vendimit të Kuvendit për çështjen e shënjimit të kufirit me Malin e Zi, do të duhej të lehtësohej shumë, në mos edhe të hiqet krejt, me Konferencën shkencore që do të mbahet me 3 gusht. Por nuk duket që kështu do të ndodhë.

Lajme

28/07/2016 14:17

Shkruan: Blerim Shala

Bashkëbisedim i qetë dhe i matur midis kolegëve, debat i mirëfilltë dhe i dobishëm profesional, apo përplasje e madhe dhe e dëmshme politike?

Qartësim i situatës, apo shtim i konfuzionit?

Marrëveshje se si duhet të ecet tash e tutje në këtë çështje, apo thellim i hendekut që ndanë dy palët, me paralajmërim të telasheve të reja politike në vend?

Janë këto vetëm disa prej pyetjeve të cilat me gjasë, secili qytetar i Kosovës ia bën vetes në ditët para mbajtjes së Konferencës shkencore kushtuar shënjimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, e cila do të mbahet më 3 gusht, në një sallë të Kuvendit të Kosovës.

Kjo konferencë do të duhej të ofronte argumente dhe fakte të bollshme, për deputetët e Kuvendit të Kosovës, por edhe për gjithë opinionin publik në vend, për të gjithë qytetarët pra, për të mbërri tek e vërteta për këtë ndërmarrje ndërkombëtare të Kosovës, e cila në parim, është konfirmim i sovranitetit të shtetit  (caktimi i kufijve me fqinjët, aktualisht, Kosova e ka të kryer këtë detyrim vetëm me Maqedoninë), dhe poashtu, është dëshmi evidente për politikën e fqinjësisë së mirë. Në rastin tonë, si rëndom nën atë ‘kapitullin’ e Sui Generis, shënjimi i kufirit të Kosovës me Malin e Zi, prej Brukselit shihet si një dëshmi e përgjegjshmërisë së autoriteteve të Kosovës, dhe si një përmbushje e kriterit të fundit për Liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Pa e kryer këtë punë pra, kosovarët nuk do të mund të udhëtojnë pa viza në Zonën e Schengenit, e cila gjë objektivisht mund të ndodhë deri kah fundi i këtij viti.

Pra, përmes këtij procesi të rëndësishëm politik vendor, ne duhet të tregohemi sa funksional jemi si shtet, sa jemi në gjendje ta menaxhojmë një obligim ndërkombëtarë që kësaj here përkon me raportet tona me një shtet fqinj  (Malin e Zi), sa e kuptojmë ndërlidhjen e kësaj ndërmarrje me marrëdhëniet tona me BE-në dhe SHBA-në, poashtu, atë raportin shumë të veçantë midis zgjidhjes së kësaj çështjeje dhe udhëtimit të kosovarëve pa viza në Evropë, më në fund, do të duhej të dëshmojmë si i adresojmë tensionet e mëdha politike në mes të Qeverisë dhe Opozitës për një çështje që me të drejtë klasifikohet me interes strategjik nacional.

Një renditje e këtillë e të gjitha çështjeve që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me dhënien e mendimit dhe bërjen e vendimit tonë institucional për kufirin me Malin e Zi, është dëshmia më e mirë se çfarë peshe të madhe ka votimi që Kuvendi i Kosovës duhet ta ushtrojë për këtë çështje.

Kjo barrë e madhe, do të duhej të lehtësohej shumë, në mos edhe të hiqet krejt, me Konferencën shkencore kushtuar shënjimit të kufirit të Kosovës dhe Malit të Zi.

Pas 3 gushtit pra, gjërat do të duhej të qartësoheshin.

Kështu do të duhej të ishte në parim.

Por të gjithë ne e dimë që do të jetë befasi e dorës së parë, nëse njëmend ky debat profesional, do të prodhojë një qartësi qëndrimesh për këtë temë. Tash e një vit, kjo çështje është bërë qind për qind politike, është burim i vazhdueshëm i konfrontimeve politike në mes të Qeverisë dhe Opozitës, prandaj, nuk është për tu habitur që nuk ka shpresë të madhe që argumentet rreth çështjes së shenjimit të kufirit, të cilat pritet të prezantohen nga ekspertët e te dy palëve, do të arrijnë të menjanojnë qëndrimet e prera politike dhe për më shumë, do të shërbejnë si themel për arritjen e një konsensusi politik në Kuvendin e Kosovës, të cilin, përndryshe, së paku në prononcimet e tyre publike, po e kërkojnë thuaja të gjithë politikanët relevantë të vendit.

Nëse njëmend do të mbizotërojnë faktet dhe argumentet shkencore, dhe atyre do të duhej çelur udhë gjithsesi me 3 gusht në këtë Konferencë, atëherë, jo vetëm që do të jetë më lehtë për Kuvendin e Kosovës për të marrë vendimin e duhur për shënjimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, por për më shumë, do të krijoheshin rrethanat kur do të ruhej dinjiteti politik i të gjithë atyre që në një mënyrë apo tjetrën janë përfshirë në debatin politik që më shumë i ka ngjarë një përplasjeje të vazhdueshme politike.

Në këtë mënyrë, kjo Konferencë do t’i kishte arrit të gjitha qëllimet.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)