Çitaku për ndeshjen e Kosovës: Kjo fitore nuk e kompenson dështimin tonë

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka komentuar fitoren e përfaqësueses së Kosovës ndaj Azerbajxhanit.

Lajme

21/11/2018 09:51

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, duke komentuar fitoren prej 4:0 të përfaqësueses së Kosovës ndaj Azerbajxhanit, ka thënë se kjo fitore nuk e arsyeton dështimin e saj dhe të politikanëve të tjerë në politikë, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, ambasadorja Çitaku ka thënë se lojtarët e përfaqësueses të Kosovës ia kanë dhënë një mësim të mirë politikës se si luftohet për fitore dhe si bëhet puna në ekip.

Këto komente ambasadorja Çitaku i bëri pasi që, dje Kosova nuk arriti që të anëtarësohet në INTERPOL, përcjell lajmi.net.

Postimi i plotë i ambasadores Çitaku pa ndërhyrje:

Ndosha më mirë sonte ne që jemi në diplomaci mos me folë hiç. Në fakt, u mata shumë mos me shkru. Po su durova.

Qe po e them : Faleminderit o djem. Një popull të ngrysun nga disfata e mëngjesit e bëtë me lot gëzimi.

Sigurisht, kjo fitore nuk e kompenzon dështimin tim dhe të kolegëve të mi. Po një leksion të mirë na e dhatë, na mësuat si bëhet ekipi. Si luftohet për fitore. Na mësuat se kthimi është i mundshëm edhe pas humbjes.

Faleminderit, përulësisht. Fadilin e keni ba krenarë sot. /Lajmi.net/