Çfarë problemesh shëndetësore fshihen pas qimeve në fytyrë, ja metodat më të mira të eleminimit

Probleme gjinekologjike, nivel i lartë testosteroni, terapi me medikamente janë vetëm disa nga shkaqet e mundshme për paraqitjen e qimeve të padëshiruara në fytyrë.

Lifestyle

19/11/2017 23:59

Në të shumtën e rasteve ky është një problem thjesht estetik, por që bëhet shkak për uljen e vetëbesimit tek shumë femra. Luftime Bruka, mjeke endokrinologe pranë Poliklinikës Qendrore, ka folur per gazeta Shendeti lidhur me këtë dukuri të pakëndshme, duke përmendur shkaktarët dhe mënyrat e trajtimit. Pse disa femra kanë qime në fytyrë dhe disa jo? Kjo varet, janë ekzaminimet ato që e përcaktojnë, por që në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për çrregullim të hormoneve. Prania e lartë e qimeve tek femrat (fytyrë ose trup) tregon se tek këto femra ka më tepër hormon mashkullor se sa femëror, pra ka % më të lartë testosteroni në organizëm. A është ky një problem vetëm estetik apo shoqërohet edhe me probleme të tjera? Prania e qimeve në fytyrë në pjesën më të madhe të rasteve nuk është se paraqet ndonjë rrezik apo problem për shëndetin, është më tepër ajo çështja estetike e cila bëhet shqetësuese për femrën dhe në të shumtën e rasteve manifestohet me stres, ankth dhe shmangie sociale. Nga ana tjetër, mund të jetë një tregues për prishjen e balancës hormonale ose për praninë e ndonjë tumori nga gjëndrat që prodhojnë hormone.Zakonisht shfaqen në mjekër, me çfarë lidhet kjo? Shfaqen në mjekër, por i hasim shpesh edhe tek tëmthet. Sikurse e përmenda më lartë, prania e tyre lidhet me nivelin e larë të testosteronit, një ovar policistik apo marrjen e ndonjë medikamenti të caktuar që prish balancën hormonale në organizëm.

Çfarë roli luan faktori gjenetik? Sigurisht, përderisa është një problem hormonal, edhe gjenetika luan një rol kryesor, ashtu si edhe diabeti apo tiroidja. Ky është një problem që haset më tepër tek femrat mesdhetare, ku bëjmë pjesë edhe ne.

A këshillohet heqja/shkulja e tyre në kushte shtëpie? Në kushte shtëpie njerëzit përdorin metoda nga më të ndryshmet, por unë do të thosha vetëm diçka, pa u konsultuar me një mjek dhe pa u përcaktuar se nga vjen, nuk duhet bërë asgjë. Duket si një problem lehtësisht i ndreqshëm estetik, por që ka raste që një problem i tillë mund të shfaqë herë pas here edhe irritime sidomos përdorimi i briskut mund të shkaktojë alergji apo infeksion të rrënjës së qimes.

Si paraqiten rastet tek ju dhe si i keni trajtuar? Ky është një problem më tepër estetik, por në praktikën tonë ambulatore këto raste po i hasim gjithnjë e më shpesh, ndoshta kjo lidhet me faktin se me rritjen e mirëqënjes rriten dhe kërkesat ndaj vetes. Si bëhet trajtimi i tyre?

Trajtimi bëhet gjithmonë në bazë të ekzaminimeve, ka raste kur kërkohet vetëm një trajtim medikamentoz, por ka raste që kërkojnë një trajtim më të specifikuar. Trajtimi mund të bëhet me metoda mekanike, me lazer ose me elektrolizë. Ajo çka duhet të theksoj është se ky trajtim, pavarësisht metodës, bëhet më i lehtë tek ato femra që nuk kanë ovar policistik sesa tek ato të cilat e kanë vezoren me kiste. Në metodat mekanike mund të përmendim: Zbardhja e qimeve, përdorimi i briskut, përdorimi i dyllit, përdorimi i piskatores.

Këto metoda nuk janë shumë të preferuara, së pari sepse efekti është i përkohshëm dhe së dyti shkulja mund të shkaktojë infeksion të rrënjës së qimes ndërsa brisku shkakton një dalje ë shpeshtë me qime të shkurtra dhe të ashpra. Depilimi me lazer: Depilimi me lazer ose IPL realizon shkatërrimin termik të rrënjës së qimeve pa shkaktuar ndonjë ndikim në indet përreth.

Eliminimi i plotë i qimeve kërkon disa seanca trajtim për shkak se çdo folikul i qimes ka një cikël të vetin të zhvillimit të pavarur nga folikujt e qimeve të tjera. Pra shkatërrohen vetëm qimet që ndodhen në fazën e rritjes, sepse në këtë fazë qimet kanë një sasi të bollshme të melaninës. Depilimi me elektrolizë: Elektroliza është e vetmja procedurë që siguron depilim 100% të qimeve. Nëpërmjet kësaj metode mund të heqim jo vetëm qimet e zeza, por edhe qimet e bardha ose të kuqe të cilat nuk mund të trajtohen me lazer. Gjithashtu me këtë metodë mund të sigurojmë depilim edhe në ato zona ku nuk mund të realizohet trajtimi me lazer, si afër syve dhe midis vetullave. Këshilla? Bëni herë pas here një kontroll hormonal dhe ekografi. Këto qime mund të mos zhduken, por do zbuten, bëhen si push.