Certifikohen rezultatet në 37 komuna

KQZ sot ka certifikuar rezultatet për Kryetarë në 37 komuna pasi që në Zveçan do të ketë rivotim në tri vendvotime. 1 dhjetori do të jetë dita e votimit, ndërsa fushata për balotazh do zgjasë 5 ditë.

Lajme

20/11/2013 15:36

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme ka certifikuar rezultatet për Kryetarë të Komunës, në 37 Komuna të Kosovës. Përjashtim bën Komuna e Zveçanit e cila do të shkojë në rivotim në tri vendvotime.

KQZ’ja poashtu vendosi që 1 dhjetori të jetë dita kur do të mbahet balotazhi nëpër komuna në garën për Kryetarë aty ku asnjëri nga kandidatët nuk ka mundur të fitojë në raundin e parë. Gjithashtu është vendosur që fushata zgjedhore për balotazh të zgjasë pesë ditë.

Propozimin për këtë kohëzgjatje të fushatës e bëri anëtari i KQZ’së Florian Dushi pasi që, siç tha ai, subjektet politike nuk e kanë ndaluar asnjëherë fushatën zgjedhore prej 3 nëntorit e këndej.

“Unë propozoj që fushata të jetë 5 ditë. Besoj se është e mjaftueshme pasi subjektet politike asnjëherë se kanë ndalë fushatën”.

Më këtë konstatim të Dushit u pajtuan të gjithë. Gjithsesi Adnan Rrustemi abstenoi, pasi ai paraprakisht kishte propozuar që fushata të zgjaste 7 ditë.

Fushata për balotazh do të fillojë nga data 24 nëntor ndërsa do të përfundoi më 29 nëntor. Dita e shtunë do të jetë ditë e heshtjes zgjedhore, ndërsa të dielën e 1 dhjetorit do të votohet.

Kryetarja e KQZ’së Valdete Daka, bëri të ditur shifrat e përgjithshme të këtyre zgjedhjeve, duke theksuar se pjesëmarrja e përgjithshme në zgjedhje ka qenë 46.69%.

Numri i votuesve të regjistruar ka qenë 1 milionë e 792 mijë e 913 votues. Numri i votuesve të cilët kanë votuar është 812.473, numri i votuesve me kusht 24.588 votues. Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 46.69%.