Buxhovi: Rugova foli më 1990 në Uashington kundër ndarjes së Kosovës, Thaçi po manipulon

​Njëri prej themeluesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jusuf Buxhovi, ka folur për planin e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për “korrigjim kufijsh” mes Kosovës e Serbisë.

Lajme

03/10/2018 23:08

Buxhovi, historian e shkrimtar, ka thënë në emisionin “DPT Te Fidani”,  se nëse Thaçi e çon përpara planin e tij, Kosova do të ndahet.

Ai ka vlerësuar se plani i presidentit të vendit për kufijtë është antikushtetues.

Buxhovi ka thënë se nuk është e vërtetë që ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, ka pasur ide për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë.

Sipas tij, Thaçi po thirret në Rugovën, për t’i dhënë legjitimitet planit të tij.

Buxhovi i ka quajtur “manipulative” e “dashakeqëse” përpjekjet për t’ia atribuuar Rugovës idenë për shkëmbim territoresh.

Sipas Buxhovit, idetë për ndarjen e Kosovës kanë origjinë nga Serbia, dhe qarkullojnë që nga viti 1990. Ai ka kujtuar se janë “dy-tri iniciativa të asaj kohe”.

Bashkëthemeluesi i LDK’së ka thënë se Rugova është deklaruar shprehimisht se është kundër një ndarjeje të vendit në prillin e vitit 1990, në Uashington, në zyrën e senatorit Bob Dole.