Buxheti më i mirë, sipas Kryeministrit

Kryeministri Thaçi më në fund erdhi në debatin për Buxhetin dhe dha një varg premtimesh për investime e rritje pagash. Si dhe ngatërroi Wembley’n me Wimbledon’in.

Lajme

21/11/2013 17:02

Për Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, buxheti i cili është duke u debatuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, është “buxheti më i mirë” që ka mundur ta ketë Kosova, nëse merren parasysh rrethanat ekonomike në rajon dhe botë.

Thaçi është inkuadruar vonë sot në debat.

Deputetët opozitarë, gjatë tërë ditës e kanë kritikuar mungesën e Kryeministrit në sallë, por ai është arsyetuar me agjendën ditore që ka pasur.

“Kërkoj ndjesë për vonesën, por për shkak të udhëtimit dhe agjendës së takimeve nuk kam pasur mundësi të jem në debat”, ka thënë Thaçi.

E kur ka folur për buxhetin Thaçi ka përmendur projekte investuese të cilat ai ka paralajmëruar se do të fillojnë ose do të vazhdojnë.

Fjalën e kishte për investimet në rrugët.

“Ky është buxheti më i mirë që ndonjëherë që ka pasur Kosova”.

“Është buxhet zhvillimor dhe i rritjes së mirëqenies së qytetavëve të Kosovës dhe i cili do të hapë një perspektivë më të mirë për shtetin tonë”.

“Gjashtë vjet të qeverisje së Kosovës por edhe asaj lokale në shumë komuna, ne kemi dëshmuar se dijmë, kemi vullnet dhe përgjegjësi për investime”.

“Për mundësitë që i kemi si shtet, është buxheti më i mirë që kemi mundur ta kemi”.

“Në javët e ardhshme do të fillojë ndërtimi i autostradës Prishtinë- Ferizaj; Hani i Elezit. Buxheti për këtë është ndarë”.

“Do të vazhdojë zgjerimi i magjistrales në drejtim të Mitrovicës, po vazhdon edhe zgjerimi i magjistrales drejt Pejës”.

“Është përmbyllur studimi për rrugën drejt Vitisë dhe Gjilanit që e lidh me autostradën Prishtinë- Shkup”.

Thaçi ka folur edhe për kritikat e opozitës për shpërndarje të buxhetit nëpër komuna në baza partiake. Ai e ka kundërshtuar këtë.

Sipas Thaçit, Prishtina prin me 110 milionë euro investime, dhe pasohet nga Prizreni me 100 milionë.

“Unë do ta mbështes Kryetarin e Prishtinës, kushdo që zgjidhet”, ka thënë Thaçi.

Në këtë moment, duket se deputeti Sabri Hamiti ka ndërhyrë, me gjasë, duke i kujtuar Thaçit se Isa Mustafa e ka fituar Prishtinën.

“E ka fituar rrethin e Prishtinës, por Prishtinën e ka humbur, i nderuari Sabri”,

“Do ta mbështesim edhe ndërtimin e stadiumit me standarde të UEFA’s, por natyrisht ka nevojë edhe për transparencë sepse duhet ta dijmë kush e menaxhon këtë stadium sot. Prej komunës apo prej një grupi njerëzish të interesave të ndryshme”, ka thënë Thaçi.

“Ne  e kemi mbajtur premtimin për rritjen prej 50 për qind për të gjitha kategoritë”.

“Për mandatin e ardhshëm do ta bëjmë rritjen graduale për të gjithë mësimdhënësit, mjekët, policët… një rritje do të ndodh deri në qershor 2014, ndërsa deri në vitin 2018 do të ndodh rritja 100 përqind për të gjitha kategoritë”, ka thënë Thaçi.

Por kur përmendi planet për investime në Mitrovicë, Thaçit iu ngatërrua premtimi e Kryetarit aktual të Komunës Avni Kastrati për ndërtimin e një stadiumi të ngjashëm më Wembley’n e Londrës.

“Do ta mbështesim Kryetarin Kastrati për ndërtimin e Wimbledon’it në Mitrovicë”, ka thënë Kryeministri Thaçi.