Burg për narkotik për një shtetas të Kosovës e tre të Shqipërisë

Gjykata Themelore në Prishtinë gjeti fajtorë Arjanit Jahirin, Leonard Çukën, Ismir Shiqerukajn dhe Ylber Sadrijën për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave psikotrope dhe analoge. Jahiri u dënua me burg në kohëzgjatje prej 2 vitesh dhe dënim me gjobë në vlerë prej 1,500 euro.

Lajme

25/06/2017 18:42

Ndërsa, Çuka, Shiqerukaj dhe Sadrija u dënuan me burg në kohëzgjatje prej 1 viti e gjashtë muajve, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 1,000 euro.

Ndërkaq, kryetarja e trupit gjykues, Valbona Selimaj, bëri të ditur se Renald Datja është liruar nga akuza në mungesë të provave dhe atij do t’i ndërpritet masa e paraburgimit.

Më tej, gjyqtarja Selimaj tha se do të konfiskohen të gjitha gjësendet e sekuestruara, përveç të liruarit Datja të cilit do t’i kthehet telefoni, si dhe të akuzuarit Sadrija do t’i kthehet makina.

Në këtë proces gjyqësor, Arjanit Jahiri, shtetas i Kosovës, dhe Leonard Çuka, Ismir Shiqerukaj, Ylber Sadrija e Renald Datja, shtetas të Shqipërisë, akuzohen se kanë shpërndarë, shitur, transportuar, ndërmjetësuar dhe dorëzuar substanca të cilat janë të shpallura me ligj si narkotik.

Sipas aktakuzës, më 26 mars 2016, pas ndalimit dhe kontrollit në veturën e të pandehurit Leonard Çuka, në të cilën pasagjer ishte edhe Renald Datja, Policia ka gjetur në gomën rezervë një sasi prej 1,867.8 gramë narkotik të llojit marihuanë, si dhe afër frenit të dorës një sasi prej 1.4 gram marihuanë. /Kallxo.com/