Bulliqi i reagon ‘shefit’: Çuditërisht vetëm Mustafa s’po i sheh faktet për demarkacionin

Bulliqi përmes një postimi në Facebook ka thënë se ka një vit që po ofrojnë fakte jo vetëm për institucionet e Kosovës por edhe për opinionin publik për humbje të territorit të Kosovës në raport me Malin e Zi.

Lajme

22/07/2016 20:29

Deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, i është përgjigjur kryeministrit të vendit, njëherësh shefit të tij në parti, Isa Mustafës, që ka thënë se askush nuk e ka bindur me argumente se Kosova humb territor nga demarkacioni me Malin e Zi.

Bulliqi përmes një postimi në Facebook ka thënë se ka një vit që po ofrojnë fakte jo vetëm për institucionet e Kosovës por edhe për opinionin publik për humbje të territorit të Kosovës në raport me Malin e Zi.

Postimi i plotë:

Te respektuar miq,

Ka një vit që po ofrojmë fakte jo vetëm për institucionet e Kosovës por edhe për opinionin publik për humbje të territorit të Kosovës në raport me Malin e Zi. Po thuajse të gjithë tani më edhe e kanë kuptuar kohën e delimitimit të parë të vijës kufitare, bazuar në këtë për sa kjo vijë po tenton të hyjë në territorin e Kosovës sipas demarkacionit të propozuar dhe cila është sipërfaqja që po kalon në pronë të shtetit malazez.

Çuditërisht vetëm kryeministri z. Mustafa nuk po e kupton apo nuk po don ta kuptoj. Dua që të sqarojë ju dhe opinionin publik se asnjëherë kryeministri nuk më ka pyetur mua e as kolegun tim se cila është ajo sipërfaqe që po humbë sepse e din mirë që ne kemi fakte dhe i kishim ofruar qindra raste lehtë të kuptueshme dhe atë nga viti 1945 deri me 31 dhjetor 1988. Kjo që deklarohet s’ka koment.

Sh. B.