Bojkoti, lojë serbe

Nexhemdin Spahiu thotë se bojkotimi i zgjedhjeve nga serbët e veriut do ta dobësonte fuqinë politikë të këtij komuniteti në Parlamentin e Kosovës. Ndërkaq  Zhelko Tvërdishiq, vlerëson se serbët e veriut do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës

Lajme

31/05/2014 10:53

Përmbajtja e simboleve shtetërore të Kosovës në materialin zgjedhor ka shtyrë serbët verior që ngrijnë fuhsatën parazgjedhore në katër komunat në veri të lumit Ibër.

Qytetarë dhe analistë në të dy pjesët e Mitrovicës veprimet e liderëve serbë I shohin si “lojë” përmes të cilës duan të fitojnë privilegje, raporton Kosovapress.

Analisti mitrovicas, Nexhmedin Spahiu, në një prononcim për Kosovapress, bëri të ditur se bojkotimi i zgjedhjeve nga veriorët do ta dobësonte fuqinë politike të këtij komuniteti në Parlamentin e Republikës së Kosovës.

Sipas tij, serbët jo vetëm se do të dalin në zgjedhje, por përqindja e tyre në këto zgjedhje do të jetë më e madhe sesa e shqiptarëve.

“Natyrisht se serbët do të dalin në zgjedhje, dhe në përqindje shumë më të madhe se shqiptarët. Ata po mundohen të marrin disa privilegje duke luajtur lojën ‘të përfitojmë nëse mund t’përfitohet diçka’, ndërsa KQZ-ja duhet të jetë parimore në këtë drejtim dhe të mos bëjë lëshime\”, ka thënë Spahiu.

Natyra Preteni, arsimtare nga Mitrovica, ndërprerjen e aktiviteteve zgjedhore nga ana e serbëve të veriut e sheh si fushatë në vete.

Ajo nuk mendon se serbët do t’i bojkotojnë zgjedhjet, duke thënë se Beogradi është i vetëdishëm për humbjen që sjellë mos dalja e tyre në këto zgjedhje, andaj do të intervenojë ndoshta edhe momentet e fundit.

“Në fund, edhe nëse nuk realizohet kjo, do të ndërhyjë Bashkësia Ndërkombëtare dhe serbët do të pranojnë krejt çka kërkon Brukseli\”, tha Preteni.

Ndërkaq, edhe analisti nga veriu i Mitrovicës, Zhelko Tvërdishiq, vlerëson se serbët e veriut do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës që do të mbahen më 8 qershor.

“Serbët e veriut sikurse shumë herë deri tani, do të veprojnë ashtu siç thotë Beogradi. Ata do të dalin në votime, mbase në numër më të vogël sesa në zgjedhjet lokale, ndërsa reagimi i tyre aktual është parasëgjithash nga frika për mos sukses të tyre në zgjedhje, si dhe ngushtimi i hapësirës për manipulim në ditën e zgjedhjeve”, ka thënë për Kosovapress Tvërdishiq.

Maja Simiq, tha se përkundër paralajmërimeve për bojkot, serbët do të dalin në këto zgjedhje, edhe pse Prishtina në vazhdimësi po bën presion që numri i serbëve në Kuvend të ngushtohet.

Sipas saj, e gjithë kjo situatë sikur po bëhet lojë.

Ajo ka përkujtuar se ngjajshëm ka qenë edhe për zgjedhjet lokale, kur ishte krijuar situatë e tensionuar dhe serbët u vunë para një dileme të madhe nëse duhet të votojnë ose jo.

“Tani e njëjta situatë po përsëritet, por përmes një forme administrative. Ata po përpiqen që përmes disa komisioneve të tentojnë manipulimin e dokumenteve të sjellura nga i ashtuquajturi Kuvend i Kosovës”, tha ajo.

Në anën tjetër, disa qytetarë serbë të veriut, të cilët nuk deshën t’i bëjnë emrat publik, thanë se serbët në veri me siguri do t’i bojkotojnë zgjedhjet, nëse Prishtina nuk lëshon pe.

Sipas tyre, e tërë kjo situatë është krijuar me paramendim nga ana e Prishtinës, për t’i lënë një numër simbolik të përfaqësuesve serbë në Kuvend, që do të shërbenin vetëm për strukturë dhe dekor.

Ndryshe, simbolet e shtetit të Kosovës nuk ishin përdorur në zgjedhjet lokale të cilat ishin negociuar mjaft gjatë në bisedimet Prishtinë-Beograd të mbajtura në Bruksel, andaj serbët kanë pritur që njësoj të veprohet edhe në zgjedhjet parlamentare.