Blloku mund ta dërgojë në Kushtetuese çështjen e Kryeparlamentarit

Kryesuesja e seancës konstituive Flora Brovina nga PDK nuk dëgjoi ankesën as të Vjosa Osmanit por as të Visar Ymerit, të cilët thanë se ajo nuk po e respekton vendimin e Kryesisë së Kuvendit lidhur se ku duhet të ulen deputetët.

Lajme

17/07/2014 12:25

PDK është ulur në mes, aty ku sipas këtij vendimi do të duhej të ulej koalicioni LDK-AAK-Nisma si grupi më i madh parlamentar.

Gjatë minutave të pauzës, Vjosa Osmani tha për media se për këtë veprim do të shfrytëzojnë të gjitha mjetet juridike.

Ajo tha se nëse koalicionit të opozitës nuk i jepet e drejta për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, nuk përjashtojnë mundësinë që ta dërgojnë këtë çështje në Kushtetuese.

“Nëse nuk i jepet mundësia bllokut opozitar që të propozojë kandidatin për kryeparlamentar që është Isa Mustafa por i jepet PDK-së, ne do ta shfrytëzojmë cdo mjet juridik dhe institucional për ta kundërshtuar këtë vendim antikushtetues”.

“Do të shfrytëzojmë çdo mjet që na takon me Kushtetutë pra nuk përjashtojmë asnjë”, tha Osmani.