“Bllokohet” Kuvendi, opozita nuk i voton projektligjet, Veseli kërkon pauzë

Seanca e sotshme e Kuvendit të Kosovës nisi me debat ndërmjet pozitës dhe opozitës, pasi deputeti i PSD-së, Visar Ymeri kërkoi që debati për dialogun Kosovë-Serbi të futej në rend dite.

Lajme

19/07/2018 11:38

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kërkoi që në fillim të votohen projektligjet e mbetura nga seancat e kaluara në mënyrë që të vazhdohet me seancë të re, raporton lajmi.net.

Mirëpo kërkesës së Veselit opozita iu përgjigj duke mos votuar për projektligjet e parapara në rend dite dhe kjo çoi Kuvendin në pauzë.

Ndërkohë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi tha se nuk është urgjente që  sot të diskutohet për dialogun pasi është diskutuar mjaft për të.

“Unë u frikova mos na ka shfaqë luftë najkush. Nuk është urgjente tema e dialogut se kemi diskutu mjaft për të. Me ardhë e me u mundu me kidnapu seancën për diçka urgjente, nuk është në rregull. Mundemi  nesër masneser,  ndonjë ditë tjetër”, tha Krasniqi.

Kërkesën e Ymerit për të debatuar për dialog, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi e quajti të qëllimshme duke thënë se kjo po bëhet me qëllim që të zbehet vendimi i djeshëm për vizat.

Edhe kryeministri Ramush Haradinaj, propozoi që për këtë çështje të debatohet ditëve tjera./Lajmi.net/