Bllokada shkakton dëme të pariparueshme

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbështet parimet e tregtisë së lirë të mallrave, si dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve ndërmjet shteteve të Evropës Juglindore, parime këto të ngulitura në Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Përmes hapjes dhe integrimit të tregjeve të shteteve anëtare të CEFTA’së, ekonomitë e secilit shtet…

Lajme

11/09/2013 09:59

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbështet parimet e tregtisë së lirë të mallrave, si dhe të lëvizjes së lirë të njerëzve ndërmjet shteteve të Evropës Juglindore, parime këto të ngulitura në Marrëveshjen për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA).

Përmes hapjes dhe integrimit të tregjeve të shteteve anëtare të CEFTA’së, ekonomitë e secilit shtet do të arrijnë të shënojnë një zhvillim më të madh, ndërsa i tërë rajoni do të jetë më tërheqës për investitorët e huaj.

Në këtë aspekt, Oda Amerikane vlerëson se veprimet e njëanshme ose çfarëdo kufizime në tregtinë e lirë duhet të jenë në përputhje me dispozitat e CEFTA-së, në kuadër të rezervimeve të bëra nga secila palë nënshkruese e marrëveshjes CEFTA. Prandaj, bëjmë thirrje të gjitha shteteve anëtare të CEFTA-së që të shmangen nga ndërmarrja e veprimeve që janë në kundërshtim me dispozitat e marrëveshjes për tregti të lirë.

“Në të njëjtën kohë, Oda Amerikane dëshiron të theksojë se çfarëdo proteste ose reagimi nga shtetet e tjera anëtare që preken nga vendimet kufizuese të shteteve përkatëse që kanë ndërmarrë ato kufizime, duhet të jenë në përputhje të plotë me dispozitat e CEFTA’së që rregullojnë çështjet e konsultimeve dhe arbitrazhit”.

“ Çfarëdo reagimi ose veprimi politik ndaj veprimeve që kufizojnë tregtinë e lirë, siç është vendosja e taksave për hyrje, apo edhe regjimi i mundshëm i vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës, të ndërmarra në mënyrë arbitrare nga shtetet anëtare të CEFTA’së, e që shkelin dispozitat e CEFTA-së mbi çështjet e konsultimit ose arbitrazhit mund të shkaktojë dëme të pariparueshme në raportet tregtare ndërmjet dy shteteve, në këtë rast Kosovës dhe Maqedonisë. Veprimet e tilla politike nuk lejojnë shtetet anëtare që të zgjidhin kontestet e tyre përmes mjeteve ligjore të parapara në kuadër të marrëveshjes CEFTA”.

Oda Amerikane u bën thirrje autoriteteve të Republikës së Maqedonisë, por edhe institucioneve ndërkombëtare që të ushtrojnë autoritetin e tyre, që taksat hyrëse për shtetasit e Kosovës të vendosura nga Maqedonia të largohen menjëherë, meqë një vendim i tillë nuk ka të bëjë asgjë me çështjet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë.