Bllokada e plotë politike

S’është fare e qartë se a do të mund të ndryshojë kualiteti politik i vendimmarrjes politike në vend, pas organizimit të zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë.

Lajme

16/03/2017 10:03

 Në ditët dhe javët kur spekulimet politike në vend kanë nisë të marrin formën mbizotëruese të mundësisë për organizimin e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme parlamentare, mbase askush nuk mund ta di se si do të ndikonin këto zgjedhje në krijimin e rrethanave më të volitshme për zgjidhjen e çështjeve të cilat kanë mbetur pezull në politikën kosovare, në mungesë të funksionimit të duhur të mekanizmave vendimmarrës në Kosovë.

Dikush mund të thotë këtu që gjithë kjo fjali e gjatë përpiqet në mënyrë racionale të shpjegoj që ne jemi të bllokuar si politikë kosovare tash e sa kohë.
Politika në Kosovë, ashtu si kudo në Botë, bëhet me qëllimin kryesor për ta organizuar si duhet një shoqëri, për të ofruar siguri dhe stabilitet, mirëqenie sociale, perspektivë ekonomike, ardhmëni të sigurt. Natyrisht tek ne, këto synime kryesore të një politike shprehen dhe shpjegohen më zëshëm dhe në mënyrën më të qartë të mundshme, vetëm gjatë fushatës parazgjedhore.
Sidoqoftë, katalogu i këtyre qëllimeve, që është i njejtë kudo, nënkupton, mbi të gjitha, që institucionet qendrore në një demokraci të mirëfilltë, çfarë janë Kuvendi dhe Qeveria, e kanë si obligim primar (si thelb të ekzistencës së tyre), zgjidhjen e problemeve që pengojnë sendërtimin e këtyre qëllimeve.
Në rastin e politikës kosovare, sidomos në dy vitet e fundit, në masë të madhe ka ndodhur e kundërta. Politika kosovare është bërë problem në vete, e cila është në deficit të vazhdueshëm: Ajo është në gjendje të prodhojë më shumë telashe se sa t’i zgjidhë ato. Natyrisht, çdo deficit, si në ekonomi ashtu edhe në politikë, synohet të mbulohet me inflacion, me devalvim të parasë, në rastin e politikës, me devalvimin dhe degradimin e parimeve themelore politike. Kjo nënkupton që ka shumë fjalë, edhe më shumë parulla të rëndomta politike, e ka pak vendime të duhura.
Shembuj për këtë qasje mbizotëruese në politikën kosovare ka sa të duash.
Ta zëmë, këtu mund ta përmendim vetëm çështjen e Ratifikimit të Marrëveshjes kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Që prej vjeshtës së vitit 2015 e këndej, kemi pasë deri sot, së paku katër cikle të përpjekjes së pasuksesshme politike për të ndërtuar një situatë më të volitshme që kjo Marrëveshje të përkrahet në Kuvendin e Kosovës.
Kryediplomatja e BE-së, Zonja Mogherini, gjatë qëndrimit të saj në Kosovë para dy javësh, e theksoi troç që ky është ai hapi i fundit që na ndanë nga fitimi i të drejtës për të udhëtuar pa viza në Evropë.
Njëra prej ‘lojërave’ të rëndomta, të çdoditshme, në politikën vendore është puna e numrave të deputetëve, që përfaqësojnë në Kuvendin e Kosovës koalicionin qeverisës, të cilët nuk janë të gatshëm ta përkrahin këtë Marrëveshje me Malin e Zi.
‘Hesapet’ asnjëherë nuk dalin tamam, apo, në fund të ditës përherë mbërrihet në konkludim që nuk është rendi që Kuvendi i Kosovës ta Ratifikojë këtë Marrëveshje.
Në shikim të parë, duket që te dy palët, nuk lëshojnë pe në qëndrimet e tyre: Qeveria paralajmëron që Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes do ta dërgojë në Kuvend, opozita paralajmëron që do ta kundërshtojë atë, ndërsa në fakt, nuk ndodhë asgjë, pos që konfirmohet sërish që Kosova është e bllokuar politikisht në marrjen e vendimeve me rëndësi jetike për qytetarët e vet, sepse kjo politikë nuk po i kryen fare detyrat e veta, për të cilat është votuar dhe mandatuar, në mënyrë që t’ua lehtësojë jetën qytetarëve të Kosovës.
Mungesa e vendimmarrjes së mirëfilltë në politikën kosovare, natyrisht që krijon probleme shtesë edhe në relacionet në mes të kësaj politike dhe faktorit ndërkombëtarë në Kosovë dhe jashtë saj.
Nga ky pikëshikimi i sotëm (së paku), nuk është aspak e qartë se a do të mund të ndryshojë kualiteti politik i vendimmarrjes në instancat më të larta politike në vend, në vijim të organizimit të zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë.
Dikush mund të shtojë këtu që diçka e tillë nuk mund të garantohet prej askujt, sepse vetë nocioni i garancës dhe sigurisë nuk ka më domethënie stabile në politikën kosovare.
Sidoqoftë, ne kemi mbërri, të gjithë së bashku, në situatën kur gjithnjë e më shumë po e marrim vesh sa po e dëmtojmë veten me politikën mbizotëruese në vend, kur po e dimë që kemi gjithnjë e më pak kohë për t’i rregulluar gjërat në këtë shtet, dhe kur këto dy dije themelore nuk po prodhojnë gjë të duhur në Kosovë./Lajmi.net/