Me çfarë provash e akuzon Prokuroria Thaçin për pengim të drejtësisë?
Hashim Thaçi ishte në paraburgim në Hagë, ku po gjykohej për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, kur më 5 dhjetor 2024 iu dorëzua një aktakuzë e dytë. Kjo aktakuzë hapi një çështje të veçantë për veprime që, sipas Prokurorisë, synonin të ndikonin te dëshmitarët e gjykimit të parë. Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS)…
Lajme
Hashim Thaçi ishte në paraburgim në Hagë, ku po gjykohej për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, kur më 5 dhjetor 2024 iu dorëzua një aktakuzë e dytë. Kjo aktakuzë hapi një çështje të veçantë për veprime që, sipas Prokurorisë, synonin të ndikonin te dëshmitarët e gjykimit të parë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) pretendon se, gjatë vizitave në paraburgim, Thaçi u dha vizitorëve informacione konfidenciale për dëshmitarët dhe udhëzime për mënyrën se si ata duhej të dëshmonin në gjykimin ndaj tij dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së.
Në këtë çështje, krahas Thaçit, akuzohen ish-drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, veterani i UÇK-së, Fadil Fazliu, dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Më 16 shtator, Gjykata Speciale shpalli fajtorë për krime lufte Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin. Thaçi u dënua me 25 vjet burgim. Aktgjykimi ndaj të katërve pritet të apelohet.

Dy muaj më vonë, më 17 nëntor, Gjykata Speciale pritet të shpallë aktgjykimin ndaj Thaçit dhe katër të bashkakuzuarve në çështjen për pengim të drejtësisë.
Prokuroria kërkoi gjashtë vjet burgim për Thaçin dhe kërkoi që, nëse shpallet fajtor edhe në këtë çështje, ai ta vuajë dënimin e dytë pas atij për krime lufte. Për Smakajn, Kilajn dhe Fazliun kërkoi nga tri vjet burgim, ndërsa për Kuçin nëntë muaj.
Në seancën përmbyllëse më 10 shtator, prokurorja e specializuar, Kimberly West, tha se Thaçi dhe të bashkakuzuarit u përpoqën për muaj të tërë të ndikonin te dëshmitarët në gjykimin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
West i përshkroi të bashkakuzuarit si bashkëpunëtorë të afërt, miq besnikë dhe ish-vartës të Thaçit. Sipas saj, ai i udhëzoi të kontaktonin dëshmitarët, dëshmitë e të cilëve i konsideronte vendimtare, dhe t’u kërkonin të ndryshonin çfarë kishin thënë, ndër të tjera për praninë e tij në vendet ku pretendohet se ishin kryer krime. West tha se incizimet e bisedave në paraburgim dhe dokumentet e sekuestruara e mbështesnin këtë pretendim.
Çfarë tha Prokuroria se ndodhi gjatë takimeve në paraburgim dhe si i përdori incizimet dhe dokumentet e sekuestruara për të mbështetur akuzat?
Takimet në paraburgim dhe udhëzimet për dëshmitarët
Prokuroria pretendon se, nga 12 prilli deri më 2 nëntor 2023, Hashim Thaçi u përpoq të ndikonte te dëshmitarët e Prokurorisë në gjykimin për krime lufte ndaj tij, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas aktakuzës, Thaçi drejtoi ose organizoi tri grupe të veçanta, ku bënin pjesë, përkatësisht, Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj.
Prokuroria pretendon se, gjatë vizitave në paraburgim, Thaçi zbuloi identitetet e disa dëshmitarëve që në atë kohë ishin konfidenciale dhe u dha vizitorëve udhëzime për t’ua përcjellë dëshmitarëve se çfarë duhej të thoshin në gjykatë.
Thaçi përballet me 11 pika të aktakuzës, prej të cilave tri për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, katër për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës.
Një nga rastet e përshkruara në aktakuzë lidhet me vizitën e Fadil Fazliut më 2 korrik 2023. Sipas Prokurorisë, Thaçi i dha Fazliut udhëzime të hollësishme për t’ia përcjellë personit që në aktakuzë identifikohet si dëshmitari 1.
Sipas aktakuzës, ata u pajtuan që djali i Fazliut, Fahri Fazliu, ta kontaktonte dëshmitarin për të caktuar një takim. Të nesërmen, më 3 korrik, thuhet se Fahri Fazliu shkëmbeu mesazhe me dëshmitarin për të organizuar një takim mes të treve.
Më 3 shtator 2023, Thaçin e vizitoi Hajredin Kuçi, i cili në atë kohë ishte pjesë e ekipit mbrojtës të Kadri Veselit.
Sipas aktakuzës, Thaçi i dha Kuçit udhëzime për t’ua përcjellë tre dëshmitarëve, të identifikuar në aktakuzë me numrat 2, 5 dhe 6, se si duhej të dëshmonin. Prokuroria pretendon se Kuçi u pajtua me udhëzimet dhe dha sugjerime për ato që duhej t’u përcilleshin dëshmitarëve 5 dhe 6.
Kuçi përballet me dy pika për mosbindje ndaj gjykatës. Smakaj, Kilaj dhe Fazliu përballen secili me nga një pikë për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe nga një për mosbindje ndaj gjykatës.

