‘Blej shqip’, fuqizo ekonominë kombëtare! (Foto & Video)

Konsumimi i produkteve vendore fuqizon ekonomin kombëtare dhe krijon vende të reja të punës. Kështu u tha në hapjen zyrtare të panairit ‘Blej Shqip’, nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe ministri i Ekonomisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj.

Lajme

28/11/2014 13:52

Në sheshet e Prishtinës është bërë të premten hapja zyrtare e Panarit të prodhimeve vendore “Blej Shqip”, i cili është organizuar nga komuna e Prishtinës dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë, me rastin e festës së 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti gjatë fjalimit të tij, tha se promovimi i produkteve vendore nuk është çështje emocionale, por është koncept ekonomike i cili zhvillon ekonomin, dhe hap vende të reja të punës.

“Promovimi i produkteve vendore nuk është çështje emocionale, nuk duhet të blihet produkte vendore  vetëm pse janë shqiptare.  Ky është koncept ekonomik, sepse është lidhja direkte në mes konsumit të prodhimeve vendore, zhvillimit të prodhimit dhe krijimit të vendeve të reja të punës”, tha Ahmeti.

 “Shkëmbimet tregtare që ka Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës janë minimale me atë se cili është potenciali i shqiptarëve që të prodhojnë, që të bëjnë shkëmbime në mes vete dhe të shkëmbejnë e shpëtojnë një shumë të madhe të parave që e bëjnë edhe Kosova edhe Shqipëria nga importi,  me qëllim të fuqizimit ekonomik  të kombit shqiptare  dhe krijimin e  vende të reja të punës”, tha Ahemti.

Edhe ministri i Ekonomisë së Shqipërisë, Arben Ahmetaj, tha  se shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të rriten, ndërkaq tha se më këtë panair do të tregohet se shqiptarët dinë të prodhojnë.

“’Blej Shqip ‘, jam dakord me Shpendin, është koncept ekonomike jo emocional. Është një ngjarje për t’i treguar gjithë shqiptarëve që ne dimë të prodhojmë mirë, ne dimë të prodhojmë për vetën tonë edhe për eksportin”.

Ahmetaj tha se tregu shqiptar dhe ai kosovar nuk janë dy tregje të ndara, porse sipas tij akoma nuk është bërë mjaft për  t’i integruar të dyja tregjet ashtu si duhet.

Kryetari Ahmeti dhe ministri Ahmetaj,  pasi premtuan se do të ushtrojnë ndikimin e tyre për të eliminuar pengesat për tregtarët, vizituan tendat dhe shtëpizat prej druri të panairit mbarëkombëtar  “Blej Shqip”, i cili ka mbledhur 113 kompani shqiptare, nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.