Biznesmenit shqiptar i bllokohet pasuria 670 mijë euro

Një pasuri me vlerë  670 000 Euro është vendosur në sekuestro preventive nga policia e Lezhës.

Lajme

14/09/2017 18:15

Kjo pasuri e cila dyshohet se është vënë me veprimtari kriminale i përket biznesmenit Vilson Hoxha dhe familjarëve të tij.

Pasuria e sekuestruar janë vila, njësi tregtare dhe automjete, transmeton Klan Kosova.

“Ndaj këtij shtetasi ka dyshime nga partnerët, se është i  përfshirë në aktivitet kriminal për shfrytëzim prostitucioni në Milano – Itali dhe për trafik të narkotikëve në Francë dhe Belgjikë”informoi sot policia e shtetit.

Hetimet ndaj tij kanë nisur në maj të vitit 2017 tek Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale apo të veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Pronat e sekuestruara

2 njësi tregtare ( ambiente biznesi bar kafe & parukeri)
2 godina banimi ( 1 vilë 3 katëshe & 1 apartament 80 m2)
1 sipërfaqe toke rreth 15 000 m2
5 automjete luksoze ( me vlera monetare të konsiderueshme )

Vlera e pasurive të sekuestruara është rreth 670 000 Euro.

Vendimi i sekuestros preventive u mor nga Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin më 13 shtator 2017. Ndërsa u ekzekutua nga sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Finaciar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në kuadër të planit të Masave “VJESHTË 2017” Për goditjen e grupeve dhe aseteve kriminale” si dhe në kuadër të Procedimit penal të vitit 2017./ Oranews.tv