Bizneset në pritje të realizimit të premtimeve zgjedhore

Pritshmëria e bizneseve për hapjen e vendeve të punës në tremujorin e parë të këtij viti është rritur dhe kjo rritje është ndikuar edhe nga premtimet e fushatës zgjedhore 

Lajme

16/06/2014 14:32

Kështu u bë e ditur teksa Oda Ekonomike e Kosovës, teksa ka prezantuar Indikatorin matës të bizneseve për tremujorin e parë të vitit 2014.

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu tha se 37 për qind e bizneseve presin që të hapen më shumë vende të reja të punës, ndërsa 60 për qind e të anketuarve presin që të ketë përmirësim të situatës të së bërit biznes.

“Metodologjia e cila është përdorur për këta indikatorë ka të bëjë me 384 ndërmarrje në vitin 2014, 400 ndërmarrje në vitin 2013 dhe e tëra kjo i ka përfshirë katër sektorë: tregtinë, prodhimin, ndërtimtarinë dhe shërbime”.

“Pritjet më të mëdha për punësim kanë qenë në tremujorin  e parë të vitit 2013 kur gjithashtu me pritje shumë optimiste në tremujorin e parë të vitit 2014”.

“60% e bizneseve presin që niveli i punësimit të mbetet i njëjtë, 37% e bizneseve presin që biznesi të rritet në tre muajt e ardhshëm, ndërsa 60% e të anketuarve presin përmirësim të situatës”.

Duke prezantuar këtë analizë, Gërxhaliu tha se pakënaqësia e situatës biznesore është përkeqësuar.

“Kemi bërë disa analiza krahasuese dhe sa i përket vlerësimit të situatës aktuale për të bërit biznes, në tremujorin e parë të vitit 2014, përqindja e bizneseve që e konsiderojnë situatën aktuale të pakënaqëshme ka shënuar rritje krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2013. Ndërsa, ka shënuar ulje të lehtë në krahasim me periudhën e njëjtën të vitit 2013. Shkalla e pakënaqësisë në tremujorin e fundit të 2013 ka qenë 24% dhe sot është 29%”.

“Në bilancin tjetër, në tremujorin e parë  dhe të dytë të vitit 2013 e kemi pasur një situatë e cila ka qenë më stabile ku kemi pas një rritje por për fat të keq në tremujorin e katërt të vitit 2013 dhe tremujorin e parë të këtij viti ka shënuar trend negativ apo ulje. E tëra kjo do të reflektohet për pritjet në punësim”.

Ndërkaq, zëvendësambasadori gjerman në Kosovë, Mathias Kiessler tha se është mirë që partitë në Kosovë e kanë kuptuar më në fund rëndësinë e zhvillimit ekonomik. Ai shpreson se kushdo që do të qeverisë me Kosovën, do të mund të implementojë disa nga idetë e paraqitura gjatë fushatës zgjedhore.

“Jam nëse i bindur se për zhvillimin dhe stabilitetin e një shteti zhvillimi ekonomik është mëse i domosdoshëm”.

“Fushata parazgjedhore në Kosovë këtë herë ka qenë shumë e përqendruar tek zhvillimi ekonomik dhe kjo është për mua një shenjë shumë e mirë se të gjitha partitë politike e kanë kuptuar se sa e rëndësishme është ekonomia për zhvillimin e një vendi. Kushdo qoftë që do ta bëjë Qeverinë e ardhshme, është shumë me rëndësi që idetë dhe qasjet që i kanë pasur në fushatë, të mund t’i implementojnë në një masë sa më të madhe që është e mundur. Vetëm në këtë mënyrë është e mundur që të tërhiqen investimet nga Evropa”.

“Unë jam plotësisht i mendimit se ky vend ka potencial për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të mëtejshëm”, tha ai.