Bisedime historike Kinë-Tajvan

Kina dhe Tajvani bisedojnë ndërmjet vete për herë të parë që nga viti 1949. Zgjedhin një qytet simbolik, të dashur për të dyja palët për ta thyer akullin dhe shpresojnë për progres në bisedime të mëtejme.

Bota

11/02/2014 15:02

Përfaqësues të Kinës dhe Tajvanit janë takuar të martën në Nanjing për bisedimet e rangut të lartë të cilat janë të parat që nga ndarja e dy vendeve në vitin 1949, një hap i rëndësishëm pavarësisht refuzimit të Pekinit për ta njohur pavarësinë e vetëshpallur të ishullit.

Zgjedhja e Ninjang për t’i mbajtur këto bisedime ka rëndësinë e vet pasi që ai ishte kryeqytet i qeverisë nacionaliste të Chiang Kai-shek gjatë luftës kundër regjimit komunist të Mao Zedong, para se nacionalistët të detyroheshin të largoheshin nga ky vend për në Tajvan.

Në këtë qytet gjendet varri i themeluesit të Republikës së Kinës, Sun Yat-sen, i cili respektohet si në Pekin ashtu edhe në Taipei.

 

Pritjet nga ky takim, i cili pas dy ditësh do të zhvendoset në Shangai, ishin të matshme.

Kreu i delegacionit të Kinës, Zhang Zhijun, tha se bisedimet kishin për qëllim konsolidimin e konsensusit të arritur në takimet e mëhershme. Por ai nuk tha asgjë specifike.

“Takimet tona kanë diçka e paimagjinueshme më parë, por nëse duam të arrijmë rezultat, duhet të kemi pak kreativitet”, tha Zhang.

Ndërsa negociatori i Tajvanit, Wang Yu-chi, tha se takimi ka dëshmuar se “marrëdhëniet e të dyja palëve kanë hyrë në një fazë të re dhe se kjo ditë është me të vërtetë për ndonjë libër rekordesh”.