Bilanci 3-mujor: 3,500 aksidente, 19 të vdekur, mbi 70 mije gjoba

Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, në Kosovë, sipas të dhënave të Policisë, kanë ndodhur 3,500 aksidente në komunikacion me 19 persona të vdekur.

Lajme

19/04/2015 09:13

Shkak i aksidenteve ka qenë kryesisht mosrespektimi i rregullave të trafikut nga vozitësit e automjeteve. Zyrtarët e Policës së Kosovës kanë bërë të ditur se brenda kësaj periudhe kanë shqiptuar mbi 70 mijë gjoba në trafik.

Krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, aksidentet në komunikacion kanë shënuar rënie, por për PK-në edhe këto shifra janë shqetësuese.

Zëdhënësi i PK-së, Daut Hoxha i ka thënë Radios Evropa e Lirë se me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë ka marrë masa në parandalimin e aksidenteve të trafikut.

“Policia e Kosovës me njësitë relevante të saj rregullisht ka ndërmarrë masa konkrete në ngritjen e nivelit të sigurisë në komunikacionin rrugor. Posaçërisht në periudha të caktuara kohore, përmes planeve operative, ka shtuar kapacitetet e saj në trafik për parandalim të aksidenteve”, ka bërë të ditur ai.

Mos disiplina në komunikacion dhe një varg faktorësh, të cilët injorohen nga vozitësit, sjellin deri te aksidentet. Shkaku i shkeljeve në komunikacion, gjatë tre muajve të parë janë shqiptuar 70,000 gjoba.

Nuhi Rama punon si taksist për 15 vjet më radhë. Ai tha se gjendja në komunikacion është tejet e ngarkuar dhe se vozitësit në Kosovë nuk i respektojnë shenjat.

“Nuk ka kulturë të ngasjes në Kosovë, të gjithë janë duke u ngutur. Nuk janë vetëm qytetarët e rëndomtë që ngasin pa i respektuar rregullat e komunikacionit, është edhe policia, janë zyrtarët qeveritarë. Më ka ndodhur, në zebra kam qenë duke kaluar rrugën, policia ka ardhur me shpejtësi dhe sa nuk më ka shkelur. Unë qe 15 vjet vozis, por asnjëherë nuk më ka ndodhur që të shkaktojë aksident, duhet të vozisim mirë”, thekson ai.

Për t’i parandaluar aksidentet në komunikacion, Rama vlerëson se kjo mund të bëhet duke vendosur policë civilë në semaforë.

Ardian Ajeti, vozitës, thotë se përveç që në disa raste mungojnë shenjat e komunikacionit, qytetarët e Kosovës nuk dinë të vozisin si duhet. Sipas tij, shumë njerëz në Kosovë janë pajisur me leje të vozitjes pa i plotësuar kushtet.

“Jo më larg se para disa ditësh pata një aksident në komunikacion, ku një makinë më goditi nga pas. Fatmirësisht shpëtuam pasi që shpejtësia nuk ishte e lartë. Kur dola nga vetura, personi që më qëlloi tha se fajet i ka telefoni, pra ai voziste, fliste në telefon në të njëjtën kohë derisa ishte duke vozitur. Ja sa respektohen tek ne rregullat e komunikacionit”, shton ai.