BIK ‘harron’ Xhaminë Qendrore në Prishtinë

Kanë kaluar dy vjet kur është vendosur gurëthemeli për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë, por përveç një lopate beton, asgjë nuk ka lëvizur nga ajo kohë. Në BIK nuk e dinë se kur saktë pritet të fillojnë punimet, ndërsa Sindikata e BIK-ut akuzon myftiun Naim Tërnava dhe kryesinë e kësaj bashkësie se me qëllim po e zvarrisin ndërtimin e xhamisë.

Lajme

02/05/2014 09:49

Vënia e gurëthemelit të saj kishte bërë bujë të madhe. Në vënien e një lopate beton, kishin marrë pjesë personalitetet më të larta shtetërore dhe përfaqësues të të gjithave bashkësive fetare në Kosovë, shkruan gazeta “Tribuna”.

Gjithashtu ishte organizuar edhe një festë e madhe. Por, pas kësaj zhurme pasoi heshtja. Kanë kaluar dy vjet dhe nuk ka asnjë lëvizje në ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë, e cila pritet të jetë më e madhja në vend, por edhe në rajon.

Në Bashkësinë Islame të Kosovës nuk e dinë se kur pritet të fillojnë punimet për ndërtimin e saj. Ata thonë se për këtë çështje do të diskutojnë së shpejti.

Sabri Bajgora, kryeimam i BIK-ut, thotë se ende nuk ka asgjë të re në këtë drejtim.

Sipas tij, në ditët e ardhshme pritet të mblidhet Kryesia e BIK-ut dhe ndër çështjet që do të diskutohet në këtë mbledhje do të jetë edhe ndërtimi i Xhamisë Qendrore në Prishtinë.

“Nuk ka ende diçka të re në këtë drejtim, mirëpo në ditët në vazhdim do të mblidhet Kryesia e BIK-ut dhe aty pritet të diskutohet edhe kjo çështje”, ka thënë Bajgora për “Tribunën”.