Besimtarët myslimanë falin Bajramin e Madh, urime e për shumë mote!

Në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, të hënën në mëngjes është falur Fitër Bajrami. Në këtë Xhami, në Ditën e parë të Fitër Bajramit, apo siç njihet tek shqiptarët si Bajrami i Madh, e që vjen si shpërblim i agjërimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit, është mbajtur edhe ceremonia kryesore e kësaj feste të besimtarëve myslimanë në Kosovë.

Lajme

28/07/2014 10:02

Liderët institucional dhe partiakë kanë uruar Bashkësinë Islame të Kosovës dhe të gjithë besimtarët për Bajramin e Madh, duke thënë se Festa e Bajramit të Madh është një rast për të gjithë, si qytetarë të këtij vendi, të ndahen mes vete gëzimet dhe urimet më të mira, dhe të punohet për një të ardhme edhe më të mirë për Kosovën.

Tërnava, transmeton KP, ka thënë se ky bajram vjen pas një sakrifice të madhe që e kanë bërë besimtarët myslimanë të gjithë botës, e i cili është vetëm për Zotin e madhërishëm.

“Sot është dita e parë e Fitër Bajramit, besimtarët islam anë e kënd botës, kudo që ata jetojnë kanë mësyrë xhamitë, shtëpitë e Allahut, për të kryer ritet e faljes së Bajramit i cili vjen si kurorëzim i agjërimit të muajit të Ramazanit, i tërë atij adhurimi dhe përkushtimi njëmujor që kemi bërë vetëm për Zotin Xheleshanuhu në shenj respekti për të gjitha ato të mira të cilat na i ka dhuruar ai”, është shprehur Tërnava.

Për të falur Bajramin e Madh, që pason muajin e shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit besimtarët kanë agjëruar nga lindja deri në perëndim të diellit, kishin dalë një numër i madh i besimtarëve myslimanë.