Berisha: Ministri i Ramës ka bërë 200 telefonata me kriminelë

Të ashpra kanë qenë akuzat e ish kryeministrit Berisha në adresë të kreut të Kuvendit Ilir Meta dhe kryeministrit Rama.

Lajme

19/03/2015 16:04

Berisha bëri publike deklarata të reja të pathëna më parë, ndërsa komunikoi publikisht se ka dijeni që një ministër i qeverisë Rama ka bërë 200 telefonata me një kriminel.

I pyetur nga media se kush është ky ministër, Berisha nuk pranoi të tregonte emrin, por tha se do ta bëjë publike emrin në një moment tjetër, dhe se për këtë ekzistojnë fakte, siç janë edhe tabulatet telefonike.

“Sot në këtë kabinet më thotë një i huaj; ka ministër që ka 200 telefonata me kriminelë të damkosur në vendin e tij, me trafikantë të damkosur në vendin e tij. Emrin ç’ është e vërteta, në momentin e duhur do ta themi. Unë po them se kjo është një bisedë absolute e vërtetë, konfidenciale, por këtë do ta themi pa diskutim, ne nuk ngurrojmë. Por problemi kryesor është sot për sot Ilir Meta, që ka pushtuar kreun e Parlamentit dhe nuk bën detyrën më minimale të paraqitet, jo si person i dytë, por si një deputet para hetuesit, para prokurorit,” tha sot Berisha.

Më tej, Berisha tha se Meta ka frikë nga arrestimi dhe është i tmerruar nga krimi. “Meta e fshehu skenarin e krimit për 6 muaj, dhe kërkoi të më akuzonte mua dhe djalin tim Shkëlzenin,” tha Berisha.

“Unë do iu tregoj vetëm një ndodhi nga jeta ime politike. Më ka ardhur Tan Prifti me video në zyrë, dhe ai mendonte se mua do më thyente për shkarkimin e tij, se kjo video do të bënte skandalin. Cili ishte reagimi im, reagimi im ishte një, ishte vetëm një, ikë çoje urgjent në Prokurori. Kurse këta ,Ilir Meta e mbajti 6 muaj, se shpresoi se do mundte, ose të eliminonte Tom Doshin, ose të fajësonte Sali Berishën, dhe të eliminonte çdo provë dhe çdo të dhënë gjatë këtyre 6 muajve,” tha më tej ish kryeministri Berisha.

Ish-kryeministri Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen për një revolucion demokratik paqësor si mënyra e vetme për të shkulur krimin që ka pushtuar qeverinë dhe administratën. Duke folur edhe më tej për ngjarjet e fundit në vend, videot e publikuara dhe akuzat e ndërsjellta, Berisha tha se Mark Frroku është fytyra më e shëmtuar e lidhjes së krimit me shtetin, dhe se bosi i tij është Ilir Meta.