Berisha e cilëson Muhaxherin si fatkeqësi për Pejën

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh ish-kryetari i Komunës së Pejës, Ali Berisha, ka reaguar në Facebook ndaj kryetarit aktual të Pejës, Gazmend Muhaxhirit.

Lajme

23/05/2016 23:22

“Lexova se Gazmend Muhaxheri më paska përmendur në media rreth Demarkacionit, kinse ne që po protestojmë dhe po e kundërshtojmë, sikur të ishim në pozitë do ta kalonim këtë çështje, diskutimi i të cilës paska filluar në kohën sa kam qenë unë Kryetar i komunës së Pejës. LAJM !?”, ka shkruar Berisha në faqen e tij në rrjetin social.

“Të kundërtën e kësaj që e thotë ky njeri, shumë lehtë mund ta vërtetojë çdokush që është i interesuar, duke nxjerrë të gjitha procesverbalet e takimeve rreth kësaj çështjeje, (nga momenti i parë) në të cilën unë kam marrë pjesë (kam përfaqësuar Komunën e Pejës) ose edhe në të tjerat ku Kryetarin dhe Komunën e ka përfaqësuar z.Ali Lajçi-atëherë nënkryetar i komunës së Pejës. Në jetën time, kurrë nuk jam fshehur prapa gjërave që i kam thënë”, thuhet në shkrimin e Berishës.

“Sa i përket asaj se; po të isha/im, ne në pozitë (unë dhe AAK) do ta kalonim (Demarkacionin), nuk ka nevojë të zgjatem shumë në arsyetim. Edhe sot në pozitën-tat ku ndodhem-i, (në Kuvendin e Kosovës), qëndrimi im-ynë mbetet i vjetri ose i njëjti. Kosova (Rugova e Podguri) nuk kanë tokë për të falur”, ka shkruar Berisha.

Sipas tij, Gazmend Muhaxheri këtë propagandë po e bënë me mbështetjen e qarqeve të caktuara, për të çorjentuar opinionin e gjërë nga problemet e shumta e pa rrugëdalje që e kanë kapluar në Komunën e Pejës, në partinë e tij të fundit (LDK-në) dhe tashmë edhe në koalicionin qeverisës lokal e qëndror.

“Gazmend Muhaxheri në vend se të merret me emrin tim, më mirë bënë tu tregojë publikisht rugovasve, podgurasve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës se cili është qëndrimi zyrtar i tij rreth çështjes së Demarkacionit. Çka ka premtuar në kohë zgjedhjesh për këtë çështje dhe çka deklaron sot ?! Sot opinioni i gjërë, popullata, elektorati, fatmirësisht nuk është ai i vitit 2013. Në kohët e sotme, rrjetet sociale, mediat, shpejtësia e informacionit kanë ecur vrullshëm. Falë kësaj, sot opinioni nuk viktimizohet nga dikush që tenton ti mbulojë dështimet duke e luajtur viktimën vet. Vetëm propaganda e Gazmendit dhe vet Gazi kanë mbetur në vitin 2013 dhe kjo është fatkeqësi kolegtive për komunën që ai drejton”, ka shkruar Berisha në Facebook.

“Në kuadër të kësaj propagande që ky njeri e ka të zhvilluar në masë, kjo nuk është hera e parë që Gazi tenton të sjellë mjegull e huti në opinion rreth kësaj teme dhe temave të tjera, shpeshherë duke keqpërdorur edhe median (edhe ate të huaj), por çdo ditë që kalon e ka kot”, ka thënë më tej Berisha.

“Tashmë kur’ i kanë shkuar pothuaj 3 vjet që kur është në qeverisje të Pejës, popullata –opinioni e ka qartë çdo detal, çdo premtim, cdo gënjeshtër dhe çdo veprim që është gatuar në kuzhinat e Gazit dhe qarqeve të tij”, ka shkruar ai.