Beqiri e Haxhiu të VLAN fajësojnë PDK-në për vonesë

Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri tha se analistët, para se të vlerësojnë joserioze qasjen e Bllokut VLAN ndaj situatës në të cilën aktualisht ndodhet vendi, duhet ta vlerësojnë të papërgjegjshëm veprimin e partisë në pushtet.

 

Lajme

05/10/2014 13:21

Në një prononcim për Radio Kosovën, ai tha se kërkesa që seanca të mbahet në mesin e javës është dhënë si një afat për PDK-në që të reflektojë.

“Ne e kemi pasur parasysh që edhe gjatë këtyre ditëve është festë dhe mbi të gjitha koha më e përshtatshme është menduar të jetë kjo, pra e enjtja e ardhshme, duke pasur parasysh që është vikendi dhe festa. Besojmë që gjatë kësaj jave do të reflektojnë, do të kthjellen, në të kundërtën pasojat për këto që po ndodhin në vendin tonë duhet t’i bartin ata që e kanë në dorë të bllokojnë, siç po bëjnë deri më tani”, tha Beqiri.

Ishte analisti Imer Mushkolaj në mesin e atyre që thoshin se blloku është në konfuzion dhe duhet të jenë më serioz për të mos lënë hapësirë për çfarëdo qasje ndryshe nga PDK-ja.

Edhe sipas deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, përgjegjësinë për vonesën e formimit të institucioneve tash e gati katër muaj e mban vetëm PDK-ja.

“E kemi parë të arsyeshme që duhet t’i bëjmë ftesë, ose t’i japim ultimatum kryesueses që ta thërrasë seancën, pra po ia japim edhe një mundësi kryesueses që ta kryejë detyrën e vet. Por në qoftë se ajo këtë nuk e bën, kemi thënë që të enjten e ardhshme ne do të mblidhemi vetë”, tha Haxhiu për Radio Kosovën.