Beqaj në përkrahje të projekteve inovative të të rinjve, janë promotor të zhvillimit ekonomik

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj në vazhdën e vizitave në kompani të ndryshme inovative sot qëndroi në “Prishtina Hackerspace”.

Lajme

02/02/2018 10:12

Beqaj u nda i kënaqur me projektet të cilat iu prezantuan, raporton Ekonomia Online. I pari i Inovacionit në vend u shpreh se do të mbështes “Prishtina Hackerspace” me qëllim që këta të rinj me kapacitete dhe angazhimin që bëjnë të jenë baza kryesore e përfaqësimit jashtë vendit.

“Besoj që ‘Prishtina Hackerspace’ është një hapësirë e mirë ku të rinjtë dhe të rejat mund të gjejnë vendin ku mund të shprehin atë shpirtin e tyre kreativ, shpirtin, shpirtin e tyre inovative. Normalisht është një hapësirë e cila është bërë mbi bazën e vullnetit të mirë të anëtarëve të komunitetit të cilët këta e kanë dhe ne si institucione do të jemi përkrahës. Jemi përkrahës për qëllimin që rinia jonë me kapacitetin të cilin e ka dhe me angazhimin që po e bënë të jetë baza kryesore e përfaqësimit jashtë vendit”, tha ai.

Ai ndërkaq u premtoi mbështetje në projektet e tyre, ngase sipas tij, ata janë promotor të zhvillimit ekonomik të vendit.

“Ajo çka dua të them është se këta të rinj dhe të reja që i pash këtu sot që punojnë në kushte jo të mira të cilat normalisht duhet të përmirësohen në të ardhmen dhe këtu do të bashkëpunojmë për të gjetur rrugën se çka mundemi me bë për ta, këta munden me qenë e ardhmja ekonomik digjitale ajo çka ne si ministri po tentojmë për ta promovuar. Unë si ministër do t’i vizitojë të gjitha ato institucione të gjitha ato nisma të gjitha ato grupe të njerëzve që kanë filluar diçka me vullnetin e mirë e që kanë nevojë për përkrahje institucione në të ardhmen”, tha Beqaj.

Ndërsa, Besfort Guri, bashkëthemelues i “Prishtina Hackerspace”, u shpreh i kënaqur me ndihmën që po u ofron kjo ministri, raporton EO.

“Po ndihemi shumë mirë që ministri ka ardhur në vizitë tek ne. Bashkë me ministrin sot vizituam hapësirat e ‘Prishtina Hackerspace’ dhe morëm premtime nga ministri që do të na përkrah financiarisht. Ne në muajt në vijim do të organizojmë një konferencë, ku  besoj që do ta bëjmë në bashkëpunim me ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë”, tha ai.

Sipas tij, “Prishtina Hackerspace” është një hapësirë bashkëpunimi e hapur për eksperimentet e krijuara ekskluzivisht për qëllime teknologjike, arsimore, kulturore dhe shkencore.